fbpx

20 vjet pas lufte. Çka?

nga Revista Kosovarja

Çuditërisht, gjatë këtyre viteve, kryesisht, pjesa dërmuese e popullit ka heshtur, ka pritur – realizimin e ëndrrave të shumta, ditë të mira në liri, në mes njëri – tjetrit më shumë dashuri, solidaritet, por edhe pak jetë, që, s’pakut, të mos i shkojë mendja dikujt të ikë nga Kosova…

Çuditërisht, them prapë, populli im ka lejuar që shtetin e ardhshëm ta definojnë ekstremistët dhe profiterët politikë!
Ka lejuar që në kokë t’na hipin politikanë analfabetë, ministra diletantë, e që pushtetin e kanë shfrytëzuar për të rritur pasuritë e tyre dhe për të punësuar farefisin e pashkollë!
Ka lejuar që themelet e pavarësisë së shumëkërkuar të na i ndotin tenderët, korrupsioni, trafikimi, kontrabanda!
Ka heshtur populli! Ka duruar Kosova!
Tash?
Mbase, momenti që populli të mos heshtë më!

Po zbulohet vetja!
Jo qëllimisht shfletoj librin e shkrimtarit hungarez Imre Kertez dhe ndalem në faqen që, pastaj, jo rastësisht i shënoj këto fjali:
“A keni vërejtur se në këtë shekull gjithçka po bëhet më e vërtetë, se po zbulohet vetja e së vërtetës?
Ushtari bëhet vrasës profesionist, politikani kriminel, kapitali bëhet ndërmarrje për eliminimin e njerëzve, ligji bëhet rregull për pazare, liria botërore bëhet burg popujsh”.

Kush ishe dje, kush je sot?
Sa ka ndryshuar njeriu ynë?! Është ky mendim që shpeshherë e hasim në biseda, në ndeja. Vërtet, nuk di cila është e vërteta për njeriun tonë: A ka ndryshuar dhe sa ka ndryshuar sot? Apo, ishte ky i sotmi edhe dje, por që e djeshmja tragjike e kishte kolektivizuar, që të ndihej më pak i frikësuar në veprimin e përbashkët kombëtar?
E, të gjitha këto sot duken relative…
Vërtet, cili është njeriu ynë sot?

E popullit
Ish kan njani, të cilin e kishin pas zgjedh kryetar komune. Ai, ni ditë, derisa ishte në zyrë, nga xhepi nxori pasqyrën dhe nisi ta shikojë veten.
E sillte kryet sa djathtas e sa majtas dhe ia bante vetes: “Eu Rrahman, eu! Edhe botha jote u ba kryetar!”

Gani DILI

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]