fbpx

Kroacia u del në mbrojtje ish-krerëve të UÇK-së

nga Revista Kosovarja

Sipas ish-gjeneralit të UÇK-së në Koshare, Hisen Berisha, presidenti kroat është ofruar të jetë garant në Gjykatën Speciale për ish-krerët e UÇK-së.

Presidenti i Kroacisë Zoran Milanovic është ofruar të jetë garant në Gjykatën Speciale për ish-Presidentin Hashim Thaçi dhe të tjerët për mbrojtje në liri, thotë Hisen Berisha, ish-gjenerali i UÇK-së në Koshare dhe ish-kandidati për deputet nga PDK.

”Një mik i imi në Kroaci më thotë, se Presidenti kroat është ofruar të jetë garant i mbrojtjes në liri të këtyre personaliteteve. Dhe jo vetëm njërit nga ta që mund ta ketë më mik – në këtë rast po flas për z. Veseli- por për të gjithë ata që janë atje”, ka deklaruar Berisha.

Berisha ka kritikuar institucionet e Kosovës se nuk patën kurajo për të garantuar mbrojtjen në liri të ish-krerëve të UÇK-së.

”Kurse përfaqësuesit e institucioneve tona, nuk patën kurajo ta marrin këtë përgjegjësi, sepse edhe nuk ju besojnë”, shprehet Berisha.

Ai e konsideron këtë një turp për Presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti e kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

”Eshtë për turp… kjo sot cfarë ka ndodh, rëndon dhe e turpëron, nivelin e presidentes, kryeministrit edhe të kryeparlamentarit, edhe ministrave tjerë. Sepse janë të pabesueshëm për atë institucion juridik që vetë e kemi krijuar, që sot të garantojnë mbrojtjen në liri të personaliteteve të tyre, që nuk janë me peshë të vogël për Kosovën dhe për historinë”, tha Berisha për një medium lokal.

Gjykata Speciale të premten njoftoi se ka refuzuar kërkesat e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për lirim nga paraburgimi.

Kjo nuk është hera e parë që ish-krerëve të UÇK-së u refuzohet kërkesa për lirim.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]