fbpx

Pse nuk është në ekipin negociator edhe Azem Vllasi?

nga Revista Kosovarja

Ish-funksionari politik, Azem Vllasi, kohëve të fundit ka qenë shumë aktiv në pasqyrimin e realitetit të shkatërrimit të ish-Jugosllavisë, në kuadër të të cilit sistem Kosova ka fituar statusin e shtetit të pavarur, shkruan “Kosovarja”.

Dezintegrimi i ish-Jugosllavisë ka lënë pasoja për popujt që kanë jetuar në të. Marrëdhëniet shqiptaro-serbe kanë mbetur të zgjidhen në dialogun e Brukselit me ndërmjetësim të BE-së.

Gati të gjitha detajet e vjetra, e që përfshihen në politikën e autonomisë së Kosovës, janë mollë sherri që Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Por, analisti politik, Azem Vllasi, në debate të shumta, ka reflektuar bindjen se nëse ekipi negociator i Kosovës e fton për sugjerime dhe prani fizike në Bruksel, ai është i gatshëm të merr pjesë për ta ndihmuar Republikën e Kosovës.

Azem Vllasi këtë e ka potencuar shumë herë: edhe kur ka qenë në krye të ekipit Hashim Thaçi, edhe tash, kur në krye të bisedimeve është Albin Kurti.

Ndihma këshillëdhënëse e Azem Vllasit, për pjesën e dialogut me Serbinë, është shumë e rëndësishme, si njeri aktiv politik në kohën kur kanë ndodhur investimet ekonomike në Kosovë, konkretisht në Trepçë dhe në ndërtimin e “Ujmanit”.

Azem Vllasi ka dhënë shumë detaje dhe dëshmi, në vazhdimësi, për të gjitha resurset ekonomikë të Kosovës në raport me Serbinë dhe për asetet që i kishte Kosova pas vitit 1974, duke pasur të drejtë autonome edhe në vendosjen e fatit të vet politik.

Ai, gjithashtu, ka dhënë shumë fakte dhe dëshmi për nivelin e autonomisë së Kosovës në Federatën e ish-Jugosllavisë, me çka do u mbyllej goja politikanëve në Serbi rreth së kaluarës politike të ingerencave të Kosovës në ish-shtetin jugosllav.

Azem Vllasi i di më së miri gjërat para lufte, andaj është një aset i çmuar informativ kombëtar. Andaj, pjesëmarrja e tij në dialog me Serbinë, qoftë edhe si këshilltar, do të kontribuonte në dobi të Kosovës. Safet Krivaça /Kosovarja/

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]