fbpx

Sot në Kosovë do të mbajë mot i ndryshueshëm

nga Revista Kosovarja

Sot në Kosovë pritet të mbajë mot mjaft i ndryshueshëm. Paradite i ngrohtë dhe kryesisht stabil. Pasdite pritet përkeqësim i theksuar i motit si pasojë e depërtimit të një fronti të fuqishëm të ftohtë ajror nga veriu. Sistemi frontal do të vijë nga veriu dhe pritet të prodhojë vranësira të dendura dhe rrebeshe lokalisht të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë. Ka mundësi që të ketë breshër afatshkurtër, ndërsa erërat veriore do të fuqizohen pasdite të cilat pritet të ulin temperaturat. Pas rrebesheve reshjet pritet të vazhdojnë në formë shiu të zakonshëm, ndërsa në mbrëmje ndërprerje e reshjeve.

Në Shqipëri pritet të mbajë mot i ndryshueshëm. Në shumicën e territorit me diell dhe vranësira kalimtare. Rrebeshe shiu priten në veri dhe lindje të vendit me depërtimin e frontit të ftohtë. Në viset tjera kryesisht pa reshje.

Edhe në Luginën e Preshevës dhe Maqedoninë Veriore pas një paraditeje kryesisht stabile, pasdite pritet destabilizim i fuqishëm i motit për shkak të depërtimit të frontit të ftohtë ajror. Fronti do të kushtëzojë rrebeshe lokale shiu dhe erëra veriore. Në mbrëmje vonë ndërprerje e reshjeve.

Të hënën në Kosovë na pret mot i freskët, me alternime mes vranësirave dhe intervaleve kohore me diell. Rallë në disa rajone priten riga të dobëta shiu. Në Shqipëri më ngrohtë dhe me më shumë intervale kohore me diell.

Të martën dhe të mërkurën përmirësim i motit dhe rritje e temperaturave sidomos të mërkurën.

Dinamika e fortë e atmosferës këtë pranverë dhe fillim-verë duket se nuk na lejon të bëjmë parashikime afatgjata. Në një postim parapraa paralamëruam për mundësinë që java tjetër të jetë krejtësisht stabile, por parashikimet më të fundit na demantojnë sepse sipas ecurive më të reja sinoptike nga e enjta përsëri pritet destabilizim i fuqishëm i atmosferës me rrebeshe shiu pasdite me vetëtima dhe bubullimë.

Për të qenë më të sigurtë duhet të presim deri nesër dhe të shohim se çfarë drejtimi pritet të marr sinoptika e javës tjetër.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]