Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, është shprehur i gatshëm që t’i japë pjesë nga programi i tij Qeverisë Kurti. Ai thotë se këtë e bën veç për hir të Kosovës.
“S’kemi kontakt me Kurtin. Kontaktet janë ndërprerë prej momentit kur ia kam dorëzuar detyrën në qeverisjen e parë, por jam i gatshëm t’iu jap pjesë të programit për hir të Kosovë, për arsye se te unë ndahet shapi prej sheqerit. Kur flitet për interesat e Kosovës atëherë bien poshtë interesat ideologjike, partiake dhe personale. Këto janë synimet e mia. Nëse është diçka e mirë për Kosovën jam i gatshëm të kontribuoj edhe në të ardhmen”.
Pacolli në Sytë 7 tha se partinë e Kurtit e pa si bashkëpunëtore për implementimin e programit të tij qeverisës, për të cilin tha se ishte shumë ambicioz, por se për shkak të dallimeve ideologjike kjo tentativë s’u realizua kurrë.
Lexo edhe: Kosovarja në Zvicër kapet duke vjedhur kartat e kreditit të klientëve
“Ne me Vetëvendosjen kemi pasë një tentativë që të bashkëpunojmë në të ardhmen. Kemi punuar në vitin 2016 që të harmonizojmë programet tona. Kam qenë gati i bindur se mos Vetëvendosje është ajo partia e cila do të marrë shumëçka prej programit tonë dhe do ta ketë program të ardhshëm qeveritar. Ne nuk patëm fat të bashkëpunojmë me Vetëvendosjen për shkak të problemeve ideologjike dhe u ndamë aty”.
Kryetari i AKR-së, po ashtu, tha se përkundër që ka qenë pjesë e qeverisjes në të kaluarën, nuk ka arritur të zbatojë planet e tij në mënyrën si ka dashur për të krijuar vendet e reja të punës.