116
Në Bllacë e kam kuptuar, ndonëse jo plotësisht, që edhe viktima e ka një pjesë të fajit për tragjedinë që i ndodhë.
Më vonë e kam ndeshur argumentimin e fuqishëm të kësaj teze te “Origjinat e totalitarizmit” të Hanah Arendt. Ndërsa në Kuranin famëlartë ka një aksiomë, ku Zoti na njofton që të mirat i kemi prej Tij, ndërsa të këqijat prej vetvetes.(Edhe këtë e kam kuptuar më vonë, pra, me vonesë.) Ndaj, argumentimin për këtë qasje e kam të mbështetur në nvelin jetësor, në nivelin artistik, shkencor dhe fetar. Disa poezi me këtë motiv për Bllacën i kam shkruar më vonë dhe i kam përfshirë në librin “Rigjetja e vetes.” Ne në Bllacë ishim viktima të gjenocidit serb. Ishim edhe viktima të brutalitetit të shtetit maqedonas. Por në njëfarë dore ishim edhe viktima të injorancës, cektësisë dhe shpirtngushtësisë sonë. Këto poezi i skicojnë disa episode të asaj gjendjeje. Me figuracion i kam lidhë edhe me kohën e Moisiut (Musait) dhe sprovat e popullit të tij, që poashtu ishin në një masë si pasojë e injorancës.
FALTORJA E MUNGUAR
Tash që kanë kaluar kaq vite
Më vjen turp ta mendoj
Si s’u kujtova vetë
Po si s’u kujtua askush
Që të ngrinim një faltore
E të luteshim me zemër
Me ballë përdhe
Në baltën e Bllacës
Zoti të na i falte mëkatet tona të mëdha
Që na kishin sjellë në atë vend
Ku po e humbnim kuptimin
E po bëheshim vetëm hije lebetitëse
Të një jete të shkatërruar
Edhe me duart tona
Si more s’m’u kujtua as mua.
LIGËSIA
Në Bllacë e pashë nga afër
Një personazh të vjetër
Që me ligësi do ta nxinte edhe librin si një stere
Ishte i nxirë dhe i këputur
Shikonte hutueshëm për dhe
Dhe sërish ktheu kokën anash kur më pa
Si një aktor diletant
Që ka harruar tekstin në skenë
Dhe nuk di ç’të bëjë me veten e vet
I gjendur para syve kurreshtarë
Por këtu nuk po e shikonte askush
Përveç meje që e shikoja me dhembje
Dhe aktrimi i tij s’ishte tjetër
Veç një krizë autisti
Mendova shpejt e shpejt
A mos ishim ne këtu të rënë ka poshtë
për një bisedë të lënë përgjysmë
Në të cilin ai thoshte se as Zoti
Nuk mund t’i bënte gjë
10 dhjetor 2012
KUR VINTE BUKA
Oh
Kur vinte buka
Masa e kotur zgjohej e egërsuar
Si në filmat e Ajzenshtajnit
Dhe lëvizte në rreth
E askush s’mund të kapte bukët që fluturonin
Sepse secili e pengonte secilin
Kërkonin t’u jipej diçka tjetër
E prandaj ulërinin, silleshin në rreth
Shanin mallkonin
E shkelnin mbi bukët që kishin rënë përtokë
Këta njerëz nuk po mësonin asgjë
Nga përvoja e popullit të Musait
As në atë siklet o medet
Veç viçi u mungonte
PO ATA
Kur u kthyem në shtëpi
Pa u sorollatur dyzet vjet shkretëtirës
Pas asaj ikjeje që na e këputi shpirtin
Pas atij zhgënjimi që na i preu këmbët
E shpresat siç i kositë lulet një kosë
A ishim ata të parët
Apo ishim të tjerë
Disi më të kthjelluar nga vuajtja
Koha po tregon
Siç ka treguar edhe për popullin e Musait
KUJTIM I ZI I NJË NATE TË BLLACËS
Për atë djalë të ri që u çmend
Në pikë të natës
Në mes të turmës së përgjumur
Për gruan e tij që lebetitej
Si një trung i kërrusur nga stuhia
E nga tmerri dukej më e errët se sa errësira
Për babain e tij plak
Si një fantazmë që shushatet nga frika
Kujtohem shpesh
Po nëna e tij pse s’ishte aty
Besoj se ishte fat që nënën s’e kishte
Sepse ashtu edhe vetë nata po vuante më pak
Pa vajin e një tjetër Ajkune
RIGJETJA E VETES
Para se ta shkruaja kujtimin në mermer
Mu aty pata bërë një sy gjumë
Në fakt një shekull përhumbje
Pas pesë ditësh qëndrimi në këmbë
Sepse qeshë lehtësuar
Kur mbeta fillikat
Pa të dashurit e mi
Që me një autobus rrangallë morën udhë të panjohur
Por kudo që të shkonin
Një fije shprese për shpëtim do ta kishin
Më shumë se sa këtu ku edhe sot
Më lëbyrën sytë nga tmerri
Që është më i fortë se sa vetë mermeri
Kur ma kërkuan këtë mbishkrim
U binda se e gjitha ishte Vullneti i Zotit
Edhe ajo vuajtje edhe ajo sprovë
Që më ndihmoi të rigjeja veten
të cilën e kisha pasë humbur si në kumar
duke ngarendur pas fatamorganash
të egos lakmitare
Tash vetja ime është më e fortë
Se sa vetë mermeri
Sepse e kam kuptuar në dorën e kujt është
Përhershmëria e shpirtit
Në obeliskun në zonën ndërkufitare ndërmjet Kosovës e Maqedonisë janë gëdhendur këto fjalë: “ Kjo zonë ndërkufitare prej datës 25 mars 1999 deri më 7 prill 1999 ishte vendqëndrim i detyrueshëm për mijëra civilë shqiptarë, viktima të spastrimit etnik të ushtruar nga Serbia. Ata këtu u mbajtën në kushte ekstreme, aq sa vuajtjet e tyre u shndërruan në një katastrofë humanitare.
Bari që mbin nga toka edhe në këtë vend duhet ta ushqejë pajtimin/Por koha që ecën nuk duhet ta zbehë as këtu kujtimin.”
Jam i nderuar që pata fatin të më kërkohej mua që ta hartoja këtë tekst për këtë destinim. Një policit maqedonas, deri sa po argëtohej me vuajtjen tonë, i pata thënë se do t’ua përjetësoja turpin.
Arijanit Cakiqi dhe 26 të tjerë
4 komente
Pëlqej
Komento
Ndaj