fbpx

Ramazanit po i vjen fundi por ti bëji ditët e fundit me te mira te tij

nga Revista Kosovarja

Vëllezër e motra, siç e shikoni, edhe vetë muajit të Ramazanit po i vjen fundi. Pas kaq ditësh me radhë marrim prej mëshirës së Zotit, mirëpo sa shpejt që po largohen këto ditë të mrekullueshme.

Muaji i madhëruar i Ramazanit! A nuk e patëm në mesin tonë çdo ditë?! A nuk e patëm çdo ditë para syve tanë?! Por nuk na është dukur veçse një hapje e mbyllje sysh?!

Kush prej nesh është i sigurt se do ta arrijë Ramazanin e vitit që vjen?!

Prandaj ai që nuk ka pasur mundësi të shijojë shpërblimet e këtij muaji le të shpejtojë, le të nxitojë.

I pafat në këtë muaj është ai i cili nuk arrin të përfitojë prej këtij muaji, shqyrtojeni veten tuaj, analizoni gabimet tuaja. Asnjëherë mos mendoni se këto gabime ju duken të vogla, sepse po t’i neglizhosh ato rriten e bëhen të mëdha, më të mëdha se një mal, e, vështirë të çrrënjosen. Shpejto të pendohesh!

Mossuksesi jonë vjen si rezultat i mosnjohjes së mëkateve.

Zoti e mëshiroftë Ibën Sirinin, dikur mori një borxh dhe nuk po i jepej mundësia për ta shlyer. Kur e pyetën se si ka mundësi që nuk po mundesh me e shlyer këtë borxh? Ai u përgjigj: “Unë e di shkakun e pamundësisë së shlyerjes së këtij borxhi, dikur i thashë një personi, o i falimentuar.”

E habitshme, të nderuar vëllezër dhe motra, e dinin se nga u vinin mëkatet, ngaqë i kishin të pakta, ndërsa ne nuk jemi në gjendje që t’i analizojmë fatkeqësitë tona ngaqë mëkatet i kemi të shumta.

Po afrojnë momentet që të palosen fletët e muajit të Ramazanit, po mbyllet sezoni i mbushur plot mirësi e begati, fitoi ai që fitoi e humbi ai që humbi.

T’i shfrytëzojmë këto pak ditë që na kanë ngelur, më mirë vonë sesa kurrë.

Lum ata të cilët e shfrytëzojnë kohën e tyre, shfrytëzojnë jetën e tyre para vdekjes, lum ata të cilët po lodhen në Ramazan.

Tani Ramazanit po i vjen fundi e bashkë me të po i vjen fundi edhe mundit e lodhjes sonë, urisë dhe etjes, por jo shpërblimit dhe shpresës, ato kanë për të mbetur deri në Ditën e Gjykimit.

Muaji i Ramazanit po i mbyll perdet e tij, mos e humbisni shpresën prej mëshirës së Allahut. Gjithmonë punët dhe veprat janë të pranuara kur ato përfundojnë mirë.

Prandaj shfrytëzojeni fundin e këtij muaji, sa e sa njerëz janë penduar e kthyer në fund e kanë fituar mëshirën dhe shpërblimin e Allahut, kanë fituar mbikëqyrjen dhe përkujdesjen e Tij.

Në natën e fundit të Ramazanit Allahu çliron prej zjarrit aq sa ka çliruar në të gjitha netët e Ramazanit të marra së bashku, sepse Allahu gjatë muajit të Ramazanit çliron nga zjarri për natë, mirëpo në natën e fundit çliron aq sa ka çliruar në të gjitha netët e marra së bashku.

Prandaj, shpejtoni që në këto ditë të mos ju shpëtojë asgjë që e ka emrin vepër e mirë, qoftë, bindje, pendim, përkujtim, lexim Kurani, sadaka, etj. Përkushtojuni detyrimeve mos lini pas dore synetet, luftoni epshet tuaja, ngushtoni rrugët e shejtanit.

Drejtohuni në fenë tuaj, le të jetë muaji i Ramazanit si një kufi ndarës ndërmjet jush dhe mëkateve, sepse mëkatet i largojnë begatitë, t’i zhdukin mirësitë, duke i zëvendësuar ata me ligësi.

Bëhuni besimtarë të vërtetë që e adhurojnë Allahun në çdo kohë dhe jo vetëm në Ramazan, sepse Zoti i muajit të Ramazanit është edhe Zot i muajve të tjerë.

Le të bëhemi prej atyre që i dëgjojnë fjalët dhe i pasojnë mirësitë, prej atyre që i përshkruan Allahu në Kuran duke thënë: “Ata të cilët që kur u lexohen ajetet e Tij u shtohet besimi dhe vetëm tek Zoti i tyre gjejnë mbështetje.”

Mos u bëni prej atyre që agjërojnë në Ramazan, udhëzohen e drejtohen, falen e luten, nënshtrohen e frikësohen, mirëpo kur mbaron muaji i bindjes dhe i mëshirës, kthehen dhe një herë në humbje e mëkate. Duke u bërë nga ata të cilët adhurojnë Ramazanin dhe jo Zotin e Ramazanit. Edhe pse muaji i Ramazanit ikën e largohet, por Allahu është i gjallë, i përhershëm nuk ikën apo largohet, do të mbetet përgjithmonë edhe pse çdo gjë do të shkatërrohet. Thotë Allahu në Kuran: “Çdo gjë do të shkatërrohet e do të mbesë vetëm Zoti yt i lartësuar, e bujar.”

Nëse je prej atyre që adhurojnë Ramazanin, ramazani ikën dhe vjen, e nuk posedon gjë në dorë as për veten e tij, prandaj adhuroni Allahun të vetëm e të pa shok. Frikësojuni Atij në çdo gjendje e kohë.

Siç dihet punëve vlerësimi u bëhet në fund, përpiquni, sidomos të arrini natën e madhe të Kadrit, natën madhështore të këtij muaji, kurorën e këtij muaji, sepse adhurimi në të është i barabartë sa adhurimi i gjithë jetës, duke t’u falur gjynahet e mëparshme.

Sa nevojë kemi ne për faljen dhe mëshirën e pafundme të të Madhit Zot, është nata që lidh qiellin me tokën e ku engjëjt janë prezent më shumë se kurrë.

Misteri që kjo natë është prej dhjetë netëve teke të fundit të Ramazanit qëndron në faktin se ne duhet të përpiqemi sa më shumë, e për pasuesit e Muhamedit kjo natë është dhuratë, për faktin se jeta jonë është më e shkurtër se ajo e popujve të mëparshëm, të cilët kanë jetuar më gjatë e si rrjedhojë edhe veprat dhe punët e tyre i kanë pasur më të shumta. Ndërsa jeta jonë është më e shkurtër e punët tona më të pakta, e duke arritur adhurimin në natën e Kadrit ne fitojmë gati tetëdhjetë e tre vjet punë dhe vepra të mira.

Përveç se si ngjarje historike paraqet rastin për çdo kënd që dëshiron t’i kthehet Allahut të Madhëruar.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]