fbpx

Kur mund ta ndërrojë deputeti partinë e vet?

nga Revista Kosovarja

Nëse partia devijon kursin, deputeti është e ndershme ta ndërrojë partinë, shkruan “Kosovarja”.

Ndonëse nuk është e shkruar dhe as që hyn në grupin e problemeve ligjore, një deputet mund ta ndërrojë partinë në këto rrethana:

Nëse partia në të cilën deputeti ka fituar mandatin nuk i përmbahet kursit të propaganduar gjatë fushatës zgjedhore, kur deputeti fiton mandatin mbi ato premtime që i janë dhënë publikut.

Por, nuk është logjike as normale që një deputet, që posa e ka fituar mandatin e deputetit, ta ndërrojë partinë, si rasti i Adelina Graincës.

Ajo mund ta ndërronte partinë për të kaluar në një parti tjetër vetëm pasi të bindej se partia ku i ka fituar votat ka devijuar nga kursi politik që ka premtuar gjatë fushatës.

Deputeti Eman Rrahmani ka të drejtë ta ndërrojë partinë, duke kaluar diku tjetër, apo duke u bërë i pavarur, pasi shumica absolute e premtimeve të partisë së tij, ku e ka fituar mandatin, nuk janë përmbushur e as nuk janë zbatuar.

Në këso rastesh, është e ndershme që një deputet të heqë dorë nga partia e tij, me qëllim të mbajtjes së përgjegjësisë nga koncepti i premtimeve gjatë fushatës.

Është e pandershme që një deputet të qëndrojë në një parti ku ka fituar mandatin, kur sheh se partia ka devijuar nga rruga e propaganduar politike, sepse mbi ato norma etike, premtime, premise ai e ka fituar besimin.

Është e pandershme dhe abuzuese kur një deputet sheh çka po ndodh në partinë e tij dhe pajtohet të qëndrojë aty, duke shkelur ligjet dhe etikën e deputetit.

Është absolutisht fëmijërore rasti i ministres së energjetikës, që popullit i mban ders, duke thënë “Izoloni shtëpitë se nuk ka rrymë!”.

Është e pandershme dhe e papërgjegjshme t’i gëlltitë sirtari bankar 160 milionë euro të Trustit, e të mos u jepen popullit për ta përballur krizën.

Është e pandershme t’u vonohet dhënia e buxhetit komunave, duke i futur ato në kolaps me operatorët e projekteve të kontaktuara, pasi shumica e tyre, pas inflacionit, kushtojnë 30% më shtrenjtë.

Është e pandershme që qeveria të mos e zgjidhë problemin me grevistët, me arsyetimin se punonjësit e arsimit janë armiq të qeverisë dhe kryeministrit.

Është e pandershme dhe antikushtetuese kur qeveria nuk e publikon listën e përfituesve të kompanive dhe firmave gjatë pandemisë, përkundër kërkesave masive që ajo të del në publik dhe të shihet kush janë përfituesit e milionave, e që janë mjete të taksapaguesve të Kosovës. Safet Krivaça /Kosovarja/

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]