fbpx

Edhe një botim në shqip i librit të shenjtë Kur’ani “Kur’ani Madhështor”

nga Revista Kosovarja

Literatura në shqip e fesë islame është pasuruar edhe me një libër të veçantë, që solli në dritë autori i përkthimit nga anglishtja në shqip, Faton Rushit Osmani, shkruan “Kosovarja”.

Libri që ditë më parë doli në dritë me titull “Kur’ani Madhështor”, kapë një dimension të ri përkthimi, variant që i ka munguar literaturës shqipe në përgjithësi.

Ky botim paraqet kuptimin e botëkuptimit të Kur’anit në formë poezie, që është i përshtatshëm edhe për recitim.

Librin “Kur’ani Madhështor” e përshkojnë fund e krye vargjet e rimuara, ashtu sikur thotë edhe vetë përkthyesi në tekstin e fjalës së përkthyesit:

“Ky përkthim është përpjekje që kuptimi i Kur’anit madhështor në gjuhën shqipe të jetë me sa më pak fjalë apo fjali të ndërmjetme, që të ketë simfoni e rimë, në mënyrë që të kuptohet dhe mbahet mend më mirë dhe sa më lehtë nga lexuesi”.

Sidoqoftë, përkthyesi Faton Rushit Osmani ka bërë punë dymbëdhjetë vjet në përkthimin nga gjuha angleze në shqip të librit “Kur’ani Madhështor”, libër që u botua në Tetovë dhe u promovua në Prishtinë.

Ajo që e bën shumë të veçantë këtë libër është fakti se përkthyesi, Faton Rushit Osmani, punën dymbëdhjetë vjet të këtij përkthimi e ka bërë nga vullneti personal, madje edhe botimin e ka vetëfinancuar.

Ky botim, e që ka marrë vlerësime shumë pozitive të dijetarëve profesionalë të fesë e të prijësve të Bashkësisë Islame të Kosovës, vjen nga një personalitet i publicistikës shqiptare, si gazetar shumëvjeçarë në mediet e Kosovës, por edhe si diplomat i trupës konsulare të Republikës së Kosovës jashtë vendit.

Po ashtu, puna me përkushtim në përkthimin e ajeteve, është përkufizuar me rimimin e rreshtave dhe vargjeve, që përkthimit i jep edhe më shumë peshë, si libër që pasuron fondin e të gjitha përkthimeve me një stil ndryshe nga ato që janë deri më tani. /Kosovarja/

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]