fbpx

Hekuran Murati: Paga mesatare në sektorin publik sa dyfishi i asaj në sektorin privat

nga Revista Kosovarja

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se paga mesatare në sektorin publik është gati dyfishi i pagës mesatare në sektorin privat.

Gjatë raportimit në Komisionit për Buxhet të Kuvendit, të premten, Murati ka thënë se paga mesatare në sektorin publik pritet të jetë 730 euro në vitin 2023, derisa ka shtuar se në vitin 2021 paga mesatare në sektorin privat ka qenë 490, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

“Në vitin 2021 ka qenë 612 euro paga mesatare, në vitin 2022 është 620 ndërkaq në vitin 2023 pritet të jetë 730 euro. Nuk mund të flasim për paga të padinjitetshme, përkundrazi nëse e krahasojmë me sektorin privat, në sektorin privat paga mesatare për vitin 2021 ka qenë 490 euro, domethënë po flasim për gati dyfishin e pagës mesatare në sektorin privat”, ka thënë Murati.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2023, i cili mundëson rritjen e pagave në sektorin publik, në bazë të vlerës së koeficentit 105 euro.

Ministri Murati ka thënë se kjo është rritja më e madhe e pagave në sektorin publik. Sipas tij, koeficenti prej 105 eurove është i pastër, derisa tha se shtesat do të vazhdojnë të parapara në bazë të ligjit.

Mirëpo, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku u shpreh kritik ndaj ministrit Murati. Ai kërkoi që vlera e koeficentit të jetë 130 euro.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]