fbpx

Lazim Destani: Ambasadorët amerikanë të mahnitur me Kosovën dhe mikëpritjen që kanë shqiptarët

nga Revista Kosovarja

Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë ka nisur një vizitë dyditore në Kosovë, e organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë me rastin e 5-vjetorit të themelimit.

Sot shumë ambasadorë shqiptarë dhe amerikanë kanë marrë pjesë në diskutimin me temën “Misioni i parë diplomatik i Kosovës në SHBA”, ku u vlerësuan marrëdhëniet e mira mes Kosovës, shqiptarëve në përgjithësi dhe SHBA-së.

Anëtari i nderit i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, Lazim Destani, tregoi se aktivitetet e Këshillit kanë filluan në Tiranë dhe do të vazhdojnë me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë nisi aktivitetet nga Tirana, ku aty u festua 5-vjetori i themelimit në një pjesëmarrje të madhe, po ashtu isha i nderuar të isha pjesë si anëtar nderi i Bordit, që më kanë emëruar”, tha Destani.

Ai tregoi se bashkë me ish-ambasadorët amerikanë janë pritur nga liderët e shtetit dhe nga partitë opozitare në Kosovë.

“Aktivitetet nga Shqipëria vazhduan në Kosovë, ku vizituar vendet e bukura historike të Prizrenit dhe vazhduam në Prishtinë, ku dje ishte agjenda më e ngarkuar me takime me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme Donika Gërvalla, ku na pritën neve bashkë me ish-ambasadorët amerikanë.

Po ashtu takimet vazhduan edhe me partitë opozitare dhe me kryetarin e Prishtinës Përparim Ramën, ndërsa sot u bëmë bashkë këtu në kolegjin “AAB”, ku është kënaqësi të jesh në mesin e shumë studentëve”, tha Destani për Zeri.info.

Destani tregoi se disa nga ish-ambasadorët amerikanë kanë qenë për herë të parë në Kosovë, ndërsa për disa të tjerë kjo nuk ishte hera e parë, ndërsa tregoi përshtypjet e tyre, të cilat kanë qenë pozitive, sidomos për mikpritjen e shqiptarëve.

“Gjatë kohës kemi biseduar për shumë tema, ata kanë mbetur pa fjalë nga ngrohtësia dhe mikpritja që kanë shqiptarët, disa nga ambasadorët kanë qenë për herë të parë në Kosovë dhe do të kthehen me bagazh pozitiv në vendet e tyre, që kanë marrë nga vizita këtu”, tha Destani.

Aktivitetet e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë bashkë me Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë do të vazhdojnë nesër në Maqedoninë e Veriut.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]