fbpx

Njihuni me vajzën e Tahir Mehës, të mbijetuaren e luftës heroike të vitit 1981

nga Revista Kosovarja

Bija e Tahir Mehës, Zadja, “kujdeset” me aq sa mundet për kullën e babait, kullën e familjes tashmë Muze, në Lagjen Meha të Prekazit.

Kishte 15-vjet në natën e 13 majit të vitit 1981, kur kishte përjetuar tmerrin e kësaj bote.

Atë natë rruga e saj jetësore mori një kahe pa kthim…

Babai i saj, Tahiri dhe gjyshi, Nebihu, kishin luftuar ballë për ballë kundër njësive speciale të Milicisë Jugosllave, të cilët pasi kishin vrarë shqiptarë të rinj e liridashës nëpër protesta e demonstrata, kudo në Kosovë, me tërë një arsenal luftarak u kishin rrethuar kullën, në Prekaz dhe kërkonin, që ata të dorëzonin armët…

Në atë ditë tmerri, ajo ishte zgjuar nga krismat e fuqishme të armëve dhe ishte ngulfatur nga tymi lotsjellës. Në fillim nuk dinte se po ëndërronte apo bubullimat po rrënonin kullën, ku ajo jetonte me nënën, dy dadot e katër motrat e saj. Kishte arritur të dilte nga kulla, ndërsa plumbi ia kishte përshkuar shtatin në brez. Me plagë në trup ishte zvarritur dhe ishte futur në hambarin e shtëpisë, ku për 18 orë kishte qëndruar në vend, e frikësuar se sapo të hetohej, do ta vrisnin. Më vonë kur e kishin zbuluar të plagosur, njerëzit e regjimit e kishin dërguar në spital sa për të treguar “humanizëm, edhe pse ajo ishte bija e një nacionalisti e irredentisti, që kishte guxuar ta sfidonte shtetin, ndër më të fortit të Evropës, shtetin që quhej Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë dhe që nuk ekziston më.

Zadja, pas qëndrimit 18 orë e ngujuar në hambar dhe me plagën në këmbë kishte humbur ndjenjat dhe ishte zgjuar, në Spital. Por zgjimi kishte qenë krejt ndryshe. Ajo tashmë jetonte në një botë tjetër, me dromca kujtimesh, për babanë e gjyshin, që nuk i kishte parë kurrë më, jetonte në një makth që nuk po i hiqej nga mendja me kujtime për natën e zezë sterrë, për plumbin që ia kishte dëmtuar përjetë këmbën, për motrat, dadot, nënën dhe anëtarët e tjerë të familjes.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]