fbpx

Perëndimit iu kërkua ta ndryshojë qasjen ndaj Serbisë, çfarë thanë tri qendrat ku u dërgua letra

nga Revista Kosovarja

56 parlamentarë nga Europa dhe SHBA hartuan një kërkesë ndaj atyre që po udhëheqin përpjekjet për të arritur një normalizim marrëdhëniesh mes dy fqinjëve ballkanikë – Kosovës e Serbisë. Ata kërkojnë një qasje më të balancuar ndaj këtyre dy vendeve dhe të mos jenë të njëanshëm ndaj Kosovës.

“Jemi duke kërkuar për balancë dhe proporcionalitet në marrëdhëniet me Kosovën dhe Serbinë”, thuhet në letrën e nënshkruar nga parlamentarët në mesin e të cilëve janë edhe dhjetë kryetarë të komiteteve për punë të jashtme

Letra iu dërgua kryediplomatit të BE-së Josep Borrell, Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe Sekretarit të Jashtëm britanik James Cleverly.

Bashkimi Europian ka konfirmuar dje se ka marrë letrën e tyre, por tha se nuk e komentojnë “korrespodencën e Borrellit”.

“Si rregull i përgjithshëm, ne nuk komentojmë në publik korrespondencën e marrë nga Përfaqësuesi i Lartë nga bashkëbisedues të ndryshëm. Nëse aktorët përkatës i shkruajnë Përfaqësuesit të Lartë, ai përgjigjet përmes kanaleve përkatëse, ne nuk bëjmë korrespondencë në media. Këtë letër të veçantë nga 56 deputetë nga disa shtete anëtare të BE-së dhe disa vende të tjera, mund të konfirmojmë se Përfaqësuesi i Lartë sapo e ka marrë”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Por, për parlamentarët ai pati një përgjigje jo të drejtpërdrejtë.

“Kujtojmë se BE-ja ka 27 shtete anëtare me 27 parlamente dhe mijëra parlamentarë. Politika e jashtme dhe qasjet e BE-së ndaj partnerëve janë formuar nga 27 shtete anëtare të përfaqësuara nga qeveritë e tyre, në unanimitet. BE-ja është një lehtësues neutral në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Po ashtu, Stano tha se Bashkimi Europian është duke monitoruar Serbinë nëse po i përmbush kërkesat dhe se është e gatshme të marrë masa në rast se ato dështojnë.

“Shtetet anëtare konsultohen për veprimet e BE-së dhe BE-ja bashkëpunon ngushtë me partnerët e saj, veçanërisht me SHBA-në. BE-ja aktualisht po monitoron nga afër përmbushjen e kërkesave të BE-së nga Serbia dhe është e gatshme të marrë masa në rast të mospërputhjes me këto kërkesa”.

Marrjen e letrës e ka konfirmuar edhe Mbretëria e Bashkuar , e cila si përgjigje të përgjithshme ndaj asaj që u tha ne letër tha se ajo është e angazhuar për gjithë Ballkanin Perëndimor për të bërë atë rajon të sigurt.

“Ne po punojmë në të gjithë Ballkanin Perëndimor për të krijuar një rajon të sigurt, të qetë dhe të begatë, të ndërtuar mbi themele të forta të demokracisë, sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit”, ka thënë për Express një zëdhënës nga Zyra për Politikë të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar.

Britanikët thonë se do t’i përgjigjen në kohën e duhur deputetëve.

Departamenti amerikan i Shtetit nuk e konfirmoi nëse kanë marrë letrën ose jo, por thanë se këto komunikime diplomatike s’i komentojnë.

“Në përgjithësi, ne nuk komentojmë korrespondencën diplomatike”, thanë nga Departamenti amerikan i Shtetit mbrëmë.

Parlamentarët kritikuan ndërmjetësit për anim nga Beogradi, derisa thanë se qasja aktuale nuk po funksionon.

“Ne kërkojmë nga komuniteti ndërkombëtar që të mësojë nga e kaluara jonë dhe të sigurohemi që ne nuk do të miratojmë politika për Ballkanin që anojnë nga Beogradi. Ne po ashtu u kërkojmë që të shqyrtoni mundësinë e miratimit të një politike të diplomacisë parandaluese për të shmangur përshkallëzim të mëtejmë të situatës së sigurisë dhe asaj politike në veri të Kosovës, me balancë dhe proporcionalitet në çdo deklaratë dhe çdo ndëshkim apo sanksion që ndërmerret, dhe që ata të cilët respektojnë sundimin e ligjit dhe demokracinë të mos ndëshkohen”, u tha në letër.

Ata përmenden edhe situatën aktuale të krijuar në veri të vendit, si dhe rrëmbimin e policëve brenda territorit të Kosovës. Për këtë të fundit, ligjvënësit europianë e amerikanë thanë se ka pasë mungesë presioni ndaj Serbisë.

“Kosova është përballur me pasoja të mëdha pas përpjekjeve të kryetarëve që të hyjnë në zyrat e tyre në veri të Kosovës. Kosova duhet të koordinohet me KFOR-in në të ardhmen për të parandaluar përshkallëzimet. Por, mungesa e presionit ndaj Serbisë pas ndalimit arbitrar të tre policëve të Kosovës dhe dështimi për t’i mbajtur përgjegjës ata që kryen sulme ndaj KFOR-it vënë në pah mungesën e barazisë në adresimin e tensioneve”.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]