Aeroplani privat i Speciales ka fluturuar nga aeroporti i Prishtinës drejt Rotterdamit.
Në të ndodhet ish pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilaj i cili mbrëmë pas mesnate u arrestua me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Arrestimit të Kilajt i ka paraprirë një bastisje disa orëshe në pronat e tij në Prishtinë e Lubizhdë të Malishevës.
Aeroplani i porositur nga Specialja erdhi në Prishtinë nga Amsterdami ashtu siç raportoi IndeksOnline në mëngjes dhe tani është rrugës për në Rotterdam.
Mbrëmë në mesnatë, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka njoftuar se është duke kryer operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
“Operacionet e ZPS-së këtë javë janë autorizuar nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në njoftimin e ZPS-së./IndeksOnline/