fbpx

Opinionistët i japin kosës haptë!

nga Revista Kosovarja

Derisa i shikoj në mbrëmje debatet televizive mbi tema të ndryshme, shoh se shumë nga opinionistët i japin kosës haptë dhe secili flet haptazi për partinë politike që e përkrahë!

Jam kureshtar i ngjarjeve të ditës. Andaj, me kënaqësi i pres emisionet televizive në mbrëmje dhe nga kanali në kanal përcjell debatet mbi tema të ndryshme…

“Otkosi” nuk po u del kurrqysh!
Por, disa opinionistë po i japin kosës haptë dhe “otkosi” nuk po u del kurrqysh!

Si i ri kur isha, më thoshte im at që kosës të mos i jepja haptë, se livadhi nuk kositet mirë!
Dhe, teksa e shikoja të mërkurën një debat të tillë, gruaja më tha:

“A po i dëgjon sa mirë paska për t’u bërë?!”.
“Po, grua, mirë ka me u bërë po të veten këta që po flasin, po debatojnë?! Por, këta askush si pyet!”, i them unë.

“E, kur si pyet kush, pse dalin në televizor?
Pse shesin mend para nesh se janë të dijshëm?!”, më thotë gruaja me zë të lart.

“Dalin se paguhen, grua! Paraja, thoshin, e çon edhe ujin përpjetë!”, i them, më shumë për ta përmbyllur këtë muhabet.

Kosova do të bëhet livadh me lule!
Dhe, teksa dua ta ndërroj kanalin, gruaja më thotë:
“Mos e ndërro kanalin! A po i dëgjon sa mirë po flasin?! Opinionisti që po anon kah “Vetëvendosja” po thotë se “Vetëvendosje” në mandatin tjetër ka me e bërë Kosovën livadh me lule!”.

“Po, grua, me gojë po flasin mirë, a me vepra krejt ndryshe!”, i them.

Dhe, pas këtij muhabeti, shyqyr Zotit, gruaja nuk e zgjati muhabetin dhe e ndërrova kanalin televiziv.

Për fat të mirë, në “RTSH 3”, hasa në një reportazh ku flitej për bukuritë e Luginës së Valbonës dhe u rehatova edhe unë e edhe gruaja ime…

Burim Bajrami

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]