Quhet Emine Spahiu, është bashkëshorte e nënë e lumtur e një vajze. Ndonëse jeton në Zvicër prej moshës tre vjeçare, e ka ruajtur dhe kultivuar gjithmonë dashurinë për gjuhën e vendin e saj. Eminja, është një tjetër emër në listen e shqiptareve të sukseshme në Zvicër.
31 vjeçarja shqiptare ka hapur biznesin e saj “Hair and Head Spa H-I-U” në Bern, i cili është bërë tejet i sukseshëm, e kjo falë shërbimeve ekskluzive, punës profesionale dhe përkushtimit të vazhdueshëm e maksimal.
E operuar gjashtë herë nga një problem në shpinë, Eminja i kishte humbur shpresat për çdo lloj pune, pasi dhimbjet ia pamundësonin aktivitetin normal. Por, nganjëherë pa pritur e pa kujtuar gjërat prihen të marrin drejtime të tjera befasuese.
“Jam besimtare dhe dy vitet e fundit e kisha një dëshirë të madhe për t’u mbuluar, ama kisha frikë nëse do të gjeja punë per shkak të mbuleses dhe veshjes. Nisa ta falja Namazin rregullisht dhe ndjehesha shumë e qetë shpirtërisht. Në ditën e tretë të Ramazanit e shikova vetën në pasqyrë dhe thash O Zoti im, unë jetoj vetëm për kënaqësinë tënde, ndaj tash e tutje e respektoj urdhërin tënd dhe do ta vë mbulesen. Kështu ndodhi gjithçka. Më besoni që prej atij momenti më janë hapur rrugët e suksesit”.
Eminja tregon se si i lindi idea për biznesin që tashmë është bërë i njohur dhe e ka permbushur. “E pash në Tik Tok Japoni Head Spa dhe u interesova. E bërë kursin në Belgjikë. Bëra kurs edhe për Refleksologjin e këmbëve dhe gjithashtu kursin Adamski per stimulimin e Hypofizes dhe masazhe. Pasi u profesionalizova, e gjeta lokalin dhe nisa punë në muajin qershor”.
Zonja që po ja del me sukses në fushën e një biznesi krejt të veçantë, tregon se në prill do ta hapë një qendër edhe më të madhe me koncept plotësisht japonez, ku do të jetë e angazhuar edhe një frizere, që është edhe profesioniste e masazhimit të kokës me vajra të ndryshëm mrekullibërës.
Eminja, tani ka edhe Akademinë e parë për Head Spa ku trajnon nxënës nga Gjermania, Austria, Franca dhe Zvicra.
“Për të gjitha sukseset e falenderoj Allahun, pasi mi ka dëgjuar lutjet dhe plotësuar të gjitha dëshirat e mija. Një falenderim shumë të përzemërt edhe për bashkëshortin tim, i cili është kujdesur gjatë gjithë kohës për mua dhe vajzen në këtë kohë që isha tejet e ngarkuar. Ai është mbështetja ime më e madhe”.
Eminja na tregoi edhe se Head Spa është një trajtim relaksues dhe terapeutik për kokën dhe lëkurën e kokës, që kombinon teknika të ndryshme masazhi, avullimi dhe pastrimi të lëkurës. Ky trajtim është shumë i njohur sidomos në Japoni dhe Kore, por po bëhet gjithnjë e më popullor edhe në vende të tjera.
Efektet e HeadSpa:
1. Pastrimi i thellë i lëkurës – Ndihmon në heqjen e yndyrës së tepërt, qelizave të vdekura dhe papastërtive.
2. Stimulimi i qarkullimit të gjakut – Masazhi i butë ndihmon në përmirësimin e rrjedhjes së gjakut nëlikur, duke favorizuar rritjen e flokëve.
3. Relaksimi dhe ulja e stresit – Masazhi i kokës ka efekt qetësues dhe ndihmon në uljen e stresit dhe tensionit.
4. Largon dhimbjen e kokës dhe tensionin – Shumë njerëz përfitojnë nga ky trajtim për të reduktuar migrenën dhe dhimbjet e kokës.
5. Flokë më të shëndetshëm dhe me shkëlqim – Duke përmirësuar shëndetin e skalpit, flokët bëhen më të fortë dhe më të bukur.
HeadSpa zakonisht kombinohet me vajra natyrale, avull, maska ushqyese dhe teknika të ndryshme masazhi për të dhënë efektin maksimal.