Herët në orët e para të mëngjesit të sotëm, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka zhvilluar një aksion të befasishëm në Kaçanik, konkretisht në një barnatore, në kuadër të hetimeve për vrasjen e rreshterit të policisë, Muhamed Lika.
Policia e Kosovës përmes zëdhënësit Baki Kelani ka konfirmuar për IndeksOnlinen se operacioni është i ndërlidhur me këtë rast të rëndë.
“Policia e Kosovës, me njësitë e saj relevante, pas hetimeve intensive, sot në orët e hershme të mëngjesit ka filluar një operacion policor, i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes së rreshterit policor Muhamed Lika në Kaçanik. Pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen publike informacione shtesë”, ka deklaruar Kelani.
Ndërkohë, burime të IndeksOnlinet bëjnë të ditur se gjatë aksionit janë arrestuar disa persona, të cilët janë shoqëruar në stacionin policor për intervistim.
Pas marrjes në pyetje, prokurori i rastit do të vendosë për ndalimin apo lirimin e tyre, varësisht nga rezultatet e intervistimeve dhe provat e mbledhura.
Vrasja e rreshterit Lika ka tronditur opinionin publik disa javë më parë, ndërsa hetimet kanë qenë intensive që nga ajo kohë. Prokuroria kishte bërë të ditur më herët se nga pamjet e kamerave të sigurisë, dy persona të rinj kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të rreshterit, duke e lënë të vdekur.
Motivet e vrasjes mbeten ende të paqarta, ndërsa organet e rendit dhe drejtësisë janë duke punuar për zbardhjen e plotë të këtij krimi të rëndë