Ka filluar seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, e cila do të vazhdojë nga pika e rendit të dytë, aty ku edhe ka përfunduar ditën e shtunë, raporton Gazeta Sinjali.
Fillimisht, u bë një minutë heshtje për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut.
Vlen të përmendet se kjo është përpjekja e katër, dhe se kjo seancë po drejtohet nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, i cili është deputeti më i moshuar, dhe do të ndihmohet nga deputetja më e re, Sala Jashari nga radhët e PDK-së.
Në seancë janë të pranishëm 117 deputetë.
Në seancën e mbajtur në ditën e shtunë, partia që ka marrë më së shumti vota në zgjedhjet e shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
E cila, në dy raunde të votimit, nuk arriti të merrte kuotën prej 61 votash, duke grumbulluar vetëm 57 vota.
Kreu i kësaj partie, Albin Kurti nuk iu përgjigj gazetarëve kur e pyetën se a i ka grumbulluar votat për të zgjedhur kryetarin e propozuar nga ata, por disa anëtarë të LVV-së thanë me të mbërritur në Kuvend se Albulena Haxhiu do të jetë sërish kandidate e LVV-së për kryeparlamentare.