fbpx

A ka Kosova pensionistë?

nga Revista Kosovarja

Pensionistët janë jashtë çdo sistemi shtetëror në shtetin e Kosovës, shkruan “Kosovarja”.

Të harruar e të lënë anash, të përbuzur e të pa konsideratë, është pikërkisht shtresa e moshës mbi 65 vjeç, me të cilët nuk merret sot askush.

Në fakt, nëse kjo ka ndodhur që ndokush të merret me ta, është vetëm koha gjatë fushatave zgjedhore, kur atyre u kërkohet vota!

Nuk dihet e as nuk shihet se dikush nga Ministria e Mirëqenies Sociale është marrë me pensionistët. Nuk dihet e as nuk shihet që as kryeministri të jetë marrë me ta ndonjëherë.

I vetmi lajm nga ministri Skender Reçica publikohet sot se pensionistëve u shtyhet afati i lajmërimit në zyrat e administratës së pensioneve deri më 31 mars 2021.

E, pensionistët kanë nevojë për përkrahje materiale e jo të paraqiten apo të mos paraqiten në zyrat e administratës së pensioneve!

Sepse, me 90 euro në muaj, pjesës më të madhe të pensionistëve nuk u dalin për barëra, e lëre më ata që kanë pasur edhe probleme me covid, ku pjesa më e madhe e të vdekurve nga covid 19 janë pensionistë!

A ndodhet në gjumë Shoqata e Pensionistëve?
Sidoqoftë, as pensionistët nuk shihet se janë aktivë me ndonjë kërkesë të tyre për rritjen e pensioneve.

Shtrohet pyetja: Ku është Shoqata e Pensionistëve dhe ç’bën ajo?

Por, as vetë pensionistët nuk shihet të dalin me ndonjë kërkesë e as të protestojnë për një trajtim më të mirë, pasi që me punën e tyre kanë kontribuar në fondin pensional.

Pra, njerëzit që e kanë lënë shëndetin nëpër miniera, si dhe ata që kanë punuar tërë jetën në ftohët, borë e në shi, sot bëjnë jetë të mjerë, sa të mos kenë as barëra e ushqim të domosdoshëm.

Në anën tjetër, ka vite që nuk është folur nga shteti, pra as nga kryeministri e ministri adekuat se do të ketë rritje page për pensionistët, sidomos tash, në këtë kohë pandemie, kur nevojat për shërimin e njerëzve janë shumë të mëdha…

E, njerëzit e kësaj kategorie dikur edhe kanë punuar, edhe kanë organizuar protesta politike për ta mbrojtur Kosovën nga Serbia…

Andaj, pjesa me e madhe e kësaj shtrese të shoqërisë sonë sot jetojnë në mjerim të madh! E, kjo, pa dyshim, është një lloj krimi.

Prandaj, Ministria e Mirëqenies Sociale duhet të organizojë takime me pensionistët, në mënyrë që të kuptojë nga ta hallet me të cilat ata ballafaqohen.

Për fund
Ku janë pensionistët? A kanë para për barëra? A kanë bukë? A kanë shëndet?

E, kjo nuk shihet se po ndodhë me pensionistët, sikur që nuk është parë as në të kaluarën, pos kur është dashur të kërkohet vota e tyre!

Prandaj, pensionistët duhet të gjejnë mënyra dhe forma si ta detyrojnë pushtetin të merret me ta. Rasti më i mirë është fushata e tashme zgjedhore, e cila duhet ta ringjallë botën e pensionistëve.

Dhe, nëse dikush nga politikanët kërkon votën e pensionistëve, ata duhet të dinë si ta kapitalizojnë kërkesën e politikanëve në të mirën e jetës së tyre. Safet Krivaça /Kosovarja/

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]