fbpx

A nuk urrehet kjo kohë?

nga Revista Kosovarja

S’besoj se vetëm unë kohëve të fundit kam zbuluar një gjë: miqtë e vërtetë janë ata që të rrinë pranë kur të ndodhin gjëra të bukura. Ata rreshtohen nga ana jonë, gëzohen, lumturohen për fitoret tona. Miqtë fals janë ata që shfaqen vetëm në momentet e vështira, por me një shprehje të trishtuar gjoja “solidariteti”. Në të vërtetë, vuajtja jonë u shërben për t’u ngushëlluar me jetët e tyre të mjera…

Gjatë krizës të kësaj kohe të pakohë, të pas-lirisë, të kësaj kohe e jete çfarë po e përjetojmë, janë shfaqur e po shfaqen persona të ndryshëm që nuk i kisha parë kurrë më parë, kinse të shoqërojnë në raste, vijnë vetëm për t’u “reklamuar” si të pasur dhe ja, erdhi koha e tyre. “Fryhen” me xhipa, me dreka e darka në restorante luksoze, me VIP-a në shoqëri, e… nejse…

A nuk urrehet kjo kohë?

S’e kam prej nostalgjisë, siç do më thoshin… Por, në kohën paraprake, jo të largët, miqtë kanë qenë të vërtetë, pa maska. Po ashtu, solidariteti ndaj njëri-tjetrit, për njëri – tjetrin ka qenë për lakmi dhe që na ka mbajtur në kohë të rëndë, të zorshme…
Jo vetëm miqtë, sot ka ndryshuar e ndërruar shumëçka.

A nuk pajtoheni?

*
Të gjithë e kemi jetën tonë. Bota ka vuajtur shumë për të arritur në këtë gjendje dhe ne duhet të kërkojmë që të organizojmë në mënyrën më të mirë, që të arrijmë të lumturën shpirtërore. Jetojmë, por në këtë jetë gjithmonë mungon dhe na mungon diçka. Për këtë jemi edhe në këtë jetë, që të arrijmë aty ku na plotësohet mungesa.

Kur Dante Aligeri shkruante “Komedinë hyjnore”, ka thënë: “Atë ditë kur njeriu do të lejojë të shfaqet dashuria e vërtetë, gjërat që duken të organizuara do bëhen rrëmujë dhe do të jenë kundërpeshë e gjithë asaj që ne e mendojmë si të drejtë, që është e vërteta”.
Bota do të bëhet e vërtetë vetëm kur njeriu do të dijë të dashurojë. Deri atëherë do të jetojmë duke besuar se e njohim dashurinë, por pa e pyetur kurrë guximin që ta përballojmë ashtu siç është në realitet.

*
Mirë e kanë pasur ata që kanë thënë: Dashuria është një forcë e egër. Kur do të përpiqemi ta kontrollojmë – na shkatërron. Kur tentojmë ta burgosim – na bën skllevër. Kur mundohemi ta kuptojmë – na lë të hutuar…

*
…dhe ai që thoshte: i urrej lamtumirat, sidomos në stacione, qofshin të autobusëve, të trenave, qofshin në aeroporte…

Nuk e dua lamtumirën!

*
Përse i duam disa njerëz dhe ca të tjerë i urrejmë?
Pse lindim, nëse një ditë duhet të vdesim?
Koha m’i imponon t’i bëj këto pyetje sikur atëherë kur nënës sime ia bëja kur isha i vogël, fëmijë…
“Kuku, o djali jem, po ku, kah, çka po t’bie në mend?”.
E sotmja ta qon mendjen kahmos…

Gani Dili

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]