fbpx

A për një dreq karrige a për popull?

nga Revista Kosovarja

Kosova edhe pas njëzet vjetësh liri po përballet me shumëçka që të zhgënjen, me shumëçka që të dëshpëron…

Për shumëçka jemi vonuar, po vonohemi, po jemi edhe të vonuar.

Shumëçka ka qenë dashur e kanë qenë mundësitë për t’u kryer. Por, neglizhenca jonë, lakmia për interesa më tepër personale, interesa për karrige, për pushtet na ka penguar dhe nuk kemi arritur atë që kemi mundur ta arrijmë…

Për çudi, po e jetojmë një kohë, një përditshmëri, sikur asgjë s’po ndodh dhe gjithçka po ndodh…

Sikur asgjë s’po lëvizë a gjithçka po shkatërrohet…
Sikur s’po e shohim veten…
Sikur s’po dimë ta largojmë të keqen…
Sikur s’po dimë çka po na duhet…
As çka po na pengon…
As çka a për çka kemi nevojë…

Shtetet lidere të botës, miket tona, na qëndruan afër. Na përkrahën. Dhe, ende vazhdojnë të na përkrahin, të jenë me ne…

Po ne sikur s’duam ta përkrahim vetveten?!
Jemi bërë pikë e pesë!
Kemi bërë, krijuar njëqind parti. Secili duam të jemi lider, bajraktar…

Secili më i mençur se tjetri. Secili e mohon tjetrin. Secili mendon, pohon, thotë: Unë jam më i miri! Unë jam ai që i duhet këtij populli! Unë di ta udhëheq këtë vend e këtë popull!

E populli i ngratë e i mirë duron, duron, duron… Duron me problemet e ditës. Lufton e duron për kafshatë buke, për ekzistencë. Duron fjalët e liderëve që s’duan të zbresin nga shkallët e skenës politike. Duron t’i sheh për ditë me xhipa të zi kah këmbët. Duron t’i sheh kah ngritin pallate… Duron që i pashkolluari t’ia zë vendin e punës të shkolluarit, intriganti-intelektualit, amatori e i padijshmi-profesionistit, e…

*
Ndoshta mirë e ka miku im, i cili më thotë se jam bërë pesimist. Po i shikoj gjërat me sy tjetër. Po, ç’të bëj, janë këta sytë e mi. Sytë e mi po shohin kështu. Jo që besoj, por po dëgjoj e ma thonë edhe jo pak vetë që kështu si sytë e mi po shohin edhe të tjerë, të shumtë…

E, ka sy që shohin se është mirë, kurrë më mirë dhe çdo gjë është në rregull e përditë e më mirë…
Ishalla është kështu, që të shohim të gjithë me këta sy…/Gani Dili/Kosovarja/

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]