fbpx

Abazoviq e bën Kishën Serbe “Republikë”, në Podgoricë po planifikohet rrëzimi i tij

nga Revista Kosovarja

Dritan Abazoviq nënshkroi sot me Kishën Serbe një marrëveshje që duket si një shtet në shtet. Proserbët dhe nacionalistët serbë janë të ngazëllyer. Presidenti Gjukanoviq dhe malazezët që e duan sovranitetin e shtetit, e quajnë nënshkrimin tradhti të Abazoviqit. Çka përmban marrëveshja dhe çka në të vërtetë i bie ajo për pavarësinë e Malit të Zi?

Dritan Abazoviq, kryeministri malazez me etni shqiptare, ia ka mësyrë ta mbylli një konflikt të gjatë, mes shtetit të pavarësuar nga Serbia dhe Kishës Ortodokse Serbe.

Pa paralajmërim dhe nën masa të shtuara të Policisë, Kryeministri Abazoviq nënshkroi marrëveshjen themelore me Patriarkun Porfirije, i cili udhëtoi fshehtas nga Beogradi në Podgoricë.

Marrëveshja që i jep kompetencë të zgjeruar kishës serbe ka gëzuar nacionalistët serbë dhe frontin proserb në Malin e Zi. Presidenti Milo Gjukanoviq, në polin tjetër, ishte kundër marrëveshjes dhe tani partia e tij dëshiron që ta rrëzojë Abazoviqin nga pushteti. Kundër ishte edhe Akademia e Shkencave dhe organizatat joqeveritare.

Sipas Abazoviqit, sot është një ditë e trishtuar për të gjithë ata që duan të jetojnë në të kaluarën, por një ditë e bukur për ata që duan të mbyllin çështjet e së kaluarës në mënyrë demokratike.

Ljubomir Filipoviq është një pjesëtar i shoqërisë civile dhe analist politik malazez, që kundërshton ndikimin serb dhe rus në Malin e Zi. Në një bisedë me Gazetën Express, ai thotë se, me këtë marrëveshje, Kisha Serbe vendoset mbi ligjet dhe shtetin e Malit të Zi.

“Kjo marrëveshje me kishën serbe vetëm po e formalizon një situatë në të cilin Kisha Ortodokse Serbe e pozicion vetën si një organizatë mbi ligjin e Malit të Zi. Teksti i marrëveshjes është kontrovers për arsye ligjore, por më shumë për preambulën e saj, që është plot me falsifikime të historisë”.

Abazoviq ka marrë një barrë të madhe mbi supet e tij, për ta zgjidhur një konflikt, që rëndon prej kohësh mbi shtetin malazez.

Filipoviq nuk e sheh si naivitet të Kryeministrit këtë, por si një vendim që prapa ka një agjendë.

“Copat e puzzle po bashkohen në një fotografi që portreton agjendën e vërtetë pas vendimit të Abazoviqit. Shkrimtarët nacionalistë serbë me vite të tëra po bëjnë thirrje për një zgjidhje përfundimtare dhe për demarkim mes Shqipërisë dhe Serbisë, dhe, kam frikë se ne po jetojmë një realitet ku Rama dhe Vuçiqi po e bëjnë këtë plan realitet”.

Sipas Filipoviqit, marrëveshja e nënshkruar sot cenon sovranitetin e Malit të Zi, dhe ai beson se në këto hapa, në një të ardhme “dikush mund ta vë në pikëpyetje” pavarësinë e Malit të Zi.

“Mali i Zi nuk është më një shtet sovran. Kryeministri ynë siguroi marrëveshje që e ndihmojnë interesat e Rusisë dhe të Serbisë në ekonominë tonë. Marrëveshja themelore me Kishën Serbe është vetëm hapi i parë, ekonomia është e dyta, dhe ngadalë-dalë, në një të ardhme jo shumë të largët, dikush mund të vë në pikëpyetje pavarësinë tonë”, thotë analisti malazez.

Abazoviqi është paralajmëruar nga partia e Gjukanoviqit se do të rrëzohet, nëse e nënshkruan marrëveshjen me Kishën Serbe. Kjo nuk e ka frikësuar Kryeministrin, i cili është i lumtur për nënshkrimin e vënë “edhe nëse shkon në shtëpi”.

Filipoviq thotë se vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, por Abazoviq ka garanci mundësinë për marrëveshje me nacionalistët serbë për ta pasur shumicën.

“Partia e presidentit [Milo Gjukanoviqit] po inicon mocion mosbesimi dhe kjo mund të çojë në zgjedhje të reja. Por gjithashtu, Abazoviq mund të bëjë marrëveshje të re me nacionalistët serbë, me të cilët ai e ka po ashtu shumicën”.

Çfarë përmban marrëveshja me Kishën Serbe?

Marrëveshja që synon rregullimin e raporteve mes Kishës Ortodokse Serbe dhe Malit të Zi, përfshin një sërë detyrimesh të shtetit ndaj KOS.

Ajo i jep asaj kompetenca publike-juridike dhe në disa fusha ia mundëson statusin ligjor të barabartë me institucionet shtetërore.

Sipas marrëveshjes, Mali i Zi i njeh vazhdimësinë ligjore gjashtë shekuj më shumë se Kishës Ortodokse Serbe në Serbi.

Me këtë marrëveshje, Kisha Ortodokse Serbe ka kompetenca ligjore dhe mund ta fusë edukimin fetar në shkolla të Malit të Zi.

Mali i Zi me këtë marrëveshje minon operimin e tij. Autoritetet shtetërore nuk mund të ndërmarrin masa sigurie në ndërtesat e kishave pa miratimin paraprak të autoriteteve kompetente të kishës.

Shteti, me këtë marrëveshje, ka obligim që regjistrojë pronat e paluajtshme të paregjistruara në pronësi të dioqezave të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.

Kush është pro e kush kundër marrëveshjes?

Abazoviq ndihet i lumtur që i ka rënë atij ta nënshkruajë këtë marrëveshje, që, sipas tij, nuk e mban më peng vendin nga e kaluara.

“Është nder dhe kënaqësi që më është dhënë mundësia e pazakontë për të nënshkruar Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe dhe për ta mbyllur këtë çështje në një mënyrë shumë të bukur, të përshtatshme dhe dinjitoze”, deklaroi Abazoviq.

Marrëveshjen nuk e pranon kurrsesi Presidenti Gjukanoviq, i cili prej kohësh është i padëshiruar për nacionalistët serbë, proserbët dhe prorusët.

“Marrëveshja e nënshkruar sot, e cila është në kundërshtim me Kushtetutën e Malit të Zi, do të pezullohet menjëherë pas zgjedhjes së Qeverisë së re“, thuhet në njoftimin e DPS-së, e cila drejtohet nga Presidenti. Partitë që nënshkruan sot iniciatiëvn për mocion mosbesimi akuzuan se Abazoviq me këtë nënshkrim e ka dëmtuar edhe agjendën europiane duke e nxjerrë një problem të ri.

Partia proserbe dhe proruse, Fronti Demokratik, e sheh nënshkrimin e marrëveshjes si produkt të luftës së tyre të vazhdueshme politike për të drejtat e serbëve dhe Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.

Me këtë lëvizje, Abazoviq ka humbur përkrahjen e partisë së Gjukanoviqit që e kishte votuar për Kryeministër, por rimori atë të Frontit Demokratik me të cilët i prishi punët, kur doli pro rrëzimit të Qeverisë së Zdravko Krivokapiq, në të cilën Abazoviq ishte zëvendëskryeministër.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]