Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se partia e parë fituese duhet të ofrojë një kandidat konsensual për kryetar Kuvendi.
Ai shtoi se nuk kanë ndërruar qëndrim karshi propozimit të Vetëvendosjes për Albulena Haxhiun kryeparlamentare.
“Bindjet tona janë se partia në pushtet duhet, partia e parë duhet të ofrojë një kandidat që përfaqëson denjësisht Kuvendin e Kosovës, jo një kandidat që lexon skriptat partiake me një seancë që ka të shkruar edhe skenarin. Paramendo si do të dukej një Kuvend kur as një gjë bazike s’e respektojnë sikur sot. Pra, duhet të jetë një kandidat konsensual që besoj se partitë tjera kanë shprehur gatishmërinë ta mbështesin”, tha ai.
I pyetur nga gazetarët se kush do të mund të ishte një kandidat i pranueshëm për LDK-në, Abdixhiku s’dha emër.
“S’kemi kandidat konsensual sepse s’jemi në tavolinë diskutuese. Ne synojmë të jemi në opozitë, ky është qëndrimi ynë politik, por ka parti të tjera që kanë gatishmëri. Pra, le të gjejnë një gjuhë sepse politika është për kompromis, demokracia është kompromis, nuk është urrejtje. S’mund ta kuptoj se si në njërën anë ofendohen, shahen bëhen bashkë me Listën Serbe dhe në anën tjetër kërkojnë kompromis. S’e di ku funksionon kjo gjuhë”.
Ndërkaq, ai paralajmëroi se do ta bëjnë padinë ndaj deputetit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.
“Deputeti Kurti, meqenëse shkon në qeveri ai do të ketë padi penale për këtë gjë. Do ta bëjmë sepse një njeri që jep betimin për deputet është deputet. Nuk mund të jetë edhe deputet edhe ushtrues detyre i një pozicioni tjetër sepse është ndaluar me Kushtetutë. Kaq e thjeshtë është kjo çështje”.