fbpx

Ag Apolloni: Ferdonija, e goditur nga fati, e kthyer në heroinë, ajo është forca që neve na mungon

nga Revista Kosovarja

E shtune, 27 mars

Dikur dilte, shëtiste, fliste e qeshte, derisa një ditë erdhi e shtuna dhe ia zuri derën, për të mos u larguar kurrë më. Ditë e ndalur. Ditë e nemun. E shtuna. E shtuna e tmerrshme. E shtuna e përjetshme.

Ditët ndërrohen dhe përsëriten, vetëm e shtuna mbetet e njëjtë. Ajo nuk kalon. Ka njëzet vjet që është ndalur. Ju mund të shkoni edhe në ditë pune te shtëpia e Ferdonijes, por, sapo të hyni brenda, jeni në të shtunën e saj. Një ditë e saj është më e fortë se çdo ditë juaja. Ajo i gëlltit ditët e tjera, i transformon në një, në një të shtune të zezë.

Duke ndenjur, duke dëgjuar historinë e saj, duke shikuar fotografitë e saj, e ndieni se dalëngadalë jeni duke u transformuar së brendshmi. Si Nioba mitike, që ndjeu nga brenda ngurtësimin e organizmit derisa u kthye e gjitha në gur, ju, duke e parë atë, e ndieni sesi çngurtësoheni, dobësoheni, thërrmoheni së brendshmi. Nioba jonë është shkëmbi para të cilit lotojmë ne. E goditur nga fati, e kthyer në heroinë, ajo është forca që neve na mungon. Me dhimbjen dhe durimin e saj ajo qëndron më lart se ne, si të gjithë heronjtë tragjikë.

(“Një fije shprese, një fije shkrepëse”, 2020)

Shkruan Ag Apolloni

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]