Bashkësia Islame e Kosovës e ka quajtur Papën e ndjerë si zë i fuqishëm i dialogut dhe urtësisë gjatë gjithë misionit të tij. Me një komunikatë publike, BIK ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e tij.
“Me dhembshuri mora lajmin për ndarjen nga jeta të udhëheqësit të Kishës Katolike, Papa Françeskut. Me një përkushtim të jashtëzakonshëm, ai i shërbeu paqes, humanizmit, dinjitetit njerëzor dhe bashkëjetesës ndërfetare në mbarë botën.
Në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, të institucioneve të saj, si dhe në emrin tim personal, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për shtetin e Vatikanit – selinë qendrore të Kishës Katolike – për Kishën Katolike në vendin tonë, si dhe për të gjithë besimtarët katolikë.
Papa Françesku ishte një zë i fuqishëm i dialogut dhe urtësisë gjatë gjithë misionit të tij. Ai u angazhua me përkushtim për ndërtimin e urave të mirëkuptimit ndërmjet feve dhe popujve. Punoi pa u lodhur për promovimin e paqes dhe të vlerave fetare, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar për brezat që vijnë.
Me nder dhe respekt kujtoj takimin që pata me Papa Françeskun në nëntor të vitit 2014 – një takim që u zhvillua në një atmosferë të sinqertë mirëkuptimi dhe u shënua nga mesazhe të thella për tolerancë, dialog dhe harmoni ndërfetare. Ky takim mbetet një kujtim i veçantë dhe një shtysë për të vazhduar rrugën e bashkëpunimit dhe të vlerave të përbashkëta” thuhet në mesazhin e Naim Tërnavës.