Ndonëse është një nga njerëzit më të pasur në botë, Bill Gates nuk ka në plan t’ua kalojë pasurinë fëmijëve të tij.
Miliarderi ka tre fëmijë me ish-gruan e tij Melinda, Jennifer Katharine Gates (29), Rory John Gates (25) dhe Phoebe Adele Gates (22). Së fundmi ai u shfaq në podcastin Figuring Out With Raj Shamani, ku foli sinqerisht për mënyrën se si i rriti fëmijët e tij, transmeton Indeksonline.
Gates, pasuria e të cilit vlerësohet në 107 miliardë dollarë (rreth 99.8 miliardë euro), shpjegoi se fëmijët e tij do të trashëgojnë vetëm një pjesë të vogël të pasurisë së tij kur të vdesë – më pak se një për qind, për të qenë të saktë. Sigurisht, edhe më pak se një për qind e më shumë se 100 miliardë dollarëve është ende një shumë e madhe.
Në podcast, ai u pyet se çfarë mendonte nëse prindërit, të pasur apo jo, duhet të kursejnë para për t’ua lënë fëmijëve të tyre, apo duhet të gjejnë një qëllim tjetër për pasurinë e tyre.
“Të gjithë vendosin për vete dhe në rastin tim fëmijët e mi kanë pasur fëmijëri dhe arsimim të shkëlqyer, por do të marrin më pak se një për qind të pasurisë së përgjithshme, sepse vendosa që nuk do t’u bëja një nder nëse do të trashëgojnë më shumë”, u përgjigj ai.
“Nuk bëhet fjalë për një dinasti, nuk po u kërkoj atyre të drejtojnë Microsoft-in. Dua t’u jap atyre mundësinë që të fitojnë para dhe sukses vetë”, tha ai, duke shtuar se dëshiron që fëmijët e tij të ndërtojnë diçka të tyren, dhe jo të ndiqen gjithë jetën nga “hija e fatit dhe privilegjit të pabesueshëm që kishte babai i tyre”.