fbpx

BSPK anulon grevën dhe protestën, i japin afat Qeverisë deri në mars për Ligjin e Pagave

nga Revista Kosovarja

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës është mbledhur këtë të enjte në një takim urgjent për të folur për nevojat e tyre dhe kërkesat që kanë drejt Qeverisë.

Aty njoftuan se e kanë anuluar grevën e protestat dhe i kanë dhënë afat Qeverisë që deri në fund të muajit mars Ligji i Pagave të shkojë për miratim në Kuvend.

Kryetari Atdhe Hykolli ka thënë se do t’i mbrojnë të gjitha federatat sindikale, pa marrë parasysh a janë brenda a jashtë kur kërkesat e i kanë të drejta, njofton Klan Kosova.

Kryesindikalisti i Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, është ankuar për tri çështjet kryesore që i shqetësojnë policët kosovarë – Ligji i Pensionimit, Ligji i Pagave dhe sigurimi shëndetësor.

“Nuk ka në botë polici pa sigurim shëndetësor. Prej pasluftës punojmë pa sigurim shëndetësor. Sipas Ligjit të Pensionimit policët pensionohen në moshën 55 vjeçare dhe kjo ka qenë e rëndësishme për Policinë e Kosovës sepse një zyrtar policor që pensionohet merr pension prej 90 eurove që është shumë shqetësuese për neve. Për Ligjin e Pagave e kisha shtuar te koeficientet. Një ligj që e refuzoi Kushtetuesja që po e them haptas se s’ka qenë i analizuar mirë dhe në mënyrë të njëanshme e kanë bllokuar atë ligj dhe jam kundër për këtë. Në këtë draft duhet të jemi të gatshëm se çka po përfshihet, sidomos te koeficienti. Ndoshta aty është baza e krejt asaj që duhet bërë ndryshimi”.

Ai ka thënë se janë keq me ndërrim të natës meqë një zyrtar policor që punon paguhet vetëm pesë euro shtesë, duke thënë se askush s’do të punonte natën veç për pesë euro më shumë.

Ndërkaq, kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jashari, ka thënë se duhet pasë unitet dhe t’i koncentrojnë kërkesat për Ligjin e Pagave.

“Secila sindikatë ka brenda vetes çështje që mund t’i ngritë. Pres që të marrim një vendim unik për atë se çfarë përgjigje mund t’i japim situatës. SBASHK e theu akullin dhe Qeveria u deturya të bëjë dialog me ne, pikërisht njeriu që e ka ligjin në tavolinë – ministri Sveçla. 4 dhjetori po vjen dhe të mos diskutojmë për gjëra të kaluara. A do të hymë në protesta e greva apo do të mjaftohemi me këtë se Qeveria po punon?”.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]