fbpx

Çifti Ilir dhe Vjollca Sinani, shembull për biznes, humanitet dhe jetë të rehatshme familjare

nga Revista Kosovarja

Nuk është hera e parë që emri i Ilir Sinanit përmendet për të mirë, për sukseset në punë, për të arriturat e firmës së tij të njohur në Gjermani, “Sinani GmbH & Co.Kg”.

Është nga ata biznesmenë që vizionet i ka të qarta, që punon si një gjerman, ndërkohë është një shqiptar i denjë.
I ecë biznesi mirë, por ka edhe rehati e qetësi familjare…

Në këtë numër të “Kosovares” flasim me çiftin Ilir e Vjollca Sinani. Me Ilirin shpalosim për gjërat e jetës, sukseset, por edhe anën e tij humanitare. Ndërkaq, Vjollca e plotëson bisedën, duke treguar anën tjetër të biznesmenit të njohur…

Ilir Sinani, biznesmeni, humanisti dhe patrioti i madh
I lindur në fshatin Celinë të Rahovecit, nga vendlindja është larguar në kohën e represionit serb. Thotë se e kishte shumë vështirë të largohej nga Kosova, nga familja e të afërmit…
“Pa dyshim, fillimi në një vend të huaj ka qenë i vështirë”, thotë Iliri, i cili me modesti tregon se në fillimet e tij në kurbet kishte punuar disa vjet në një furrë buke.
“Pastaj, i kam kryer disa kurse dhe seminare dhe kam kaluar me punë në një kompani për rregullimin e rrugëve”, shton ai.
Por, fati thonë se është në anën e atyre që punojnë dhe nuk ndalen. Ashtu edhe është. Sot ai është pronar i një kompanie të suksesshme në Gjermani.
“Jam pronar i kompanisë sime, “Sinani GmbH & Co.Kg”, e cila i ka mbi 40 punëtorë dhe të gjithë janë shqiptarë.
Dhe, jo vetëm shqiptarë nga Kosova, por nga të gjitha trojet shqiptare. Sepse, në këtë mënyrë, dua ta ndihmoj kombin tim aq sa mundem.
Me krenari them se ne, shqiptarët, jemi punëtorë të palodhshëm dhe për këtë na e kanë lakmi të tjerët”, tha në vazhdim të bisedës sonë Iliri.
Sidoqoftë, thuajse të gjithë e dinë se Ilir Sinani është shumë i suksesshëm në fushën e biznesit, por edhe njeri me zemër të madhe, humanitar dhe një nga përfaqësuesit dhe donatorët e Shoqatës “Jetimat e Ballkanit”.
“Humanizmi është i mirë çdoherë dhe kudo që e lypë nevoja. Më parë kam marrë pjesë në shumë iniciativa bamirësie të shokëve, miqve dhe të tjerëve dhe kam parë se sa gjë e mirë është t’i ndihmosh njerëzit që kanë nevojë, që presin t’i ndihmosh. Dhe, më ka bërë përshtypje mënyra si i ndihmojnë…
Pastaj, kam filluar edhe vetë t’i ndihmoj ata që kanë nevojë. Në këtë drejtim më ka shërbyer, si shembull, Halil Kastrati, e që për mua është njeri i mirë, e çmoj dhe meriton respekt të përgjithshëm. Kështu, edhe jam kyçur në Shoqatën Bamirëse “Jetimat e Ballkanit”.
Më pastaj, më kanë caktuar përfaqësues për Gjermani dhe e kemi hapur xhirollogarinë në Gjermani, ku njerëzit e vullnetit të mirë dhe donatorët e kanë më lehtë t’i deponojnë të hollat që i japin për bamirësi”, thotë Iliri, teksa flet për ndihmat humanitare.
Pa dyshim, biznesmeni, Ilir Sinani, kontribuon fuqishëm edhe në fushën kombëtare e kulturore…
“Aktivitete kulturore-kombëtare e sportive kemi shumë dhe është e pamundur t’i përmendim të gjitha në një shkrim.
I kam përkrahur humoristët, Qumilin dhe Cimën, në 4 komedi. E kam përkrahur Konsullatën Shqiptare për 105-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kemi organizuar me Lulzim Maliqin, Agron Muharremin dhe Klubin Futbollistik “Kosova” koncert, në të cilin kanë marrë pjesë shumë artistë tanë dhe e kemi ftuar Klubin e Futbollit nga Tërnoci në një ndeshje vëllazërore futbolli.
Me këtë rast, synimi kryesor ishte bashkimi i shqiptarëve nga Kosova Lindore me Kosovën Qendrore. Me ç’rast u organizua një manifestim madhështor, në të cilin morën pjesë shumë bashkatdhetarë tanë që jetojnë në Zvicër, por edhe në shtetet përreth”.
Dhe, pa dyshim, kur e dëgjon Ilir Sinanin teksa flet për ato që bënë, të vjen ta duartrokasësh…
“Diaspora shqiptare para, gjatë dhe paslufte ka qenë shtylla kryesore e Kosovës. Por, megjithatë, sa u përket investimeve, mendoj se nuk jemi të informuar sa duhet dhe si duhet…
E, pse? Këtë nuk e di!”, thotë Iliri, të cilin edhe e pyetëm a mendon të investojë në vendlindje…
“Unë, vazhdimisht, jam i preokupuar se si të investoj në Kosovë. Natyrisht, jo të përfitoj, por t’u mundësoj punësim të rinjve të Kosovës, të cilët, në pamundësi punësimi, shëtisin poshtë e lart ose e kalojnë kohën në restorante e në tym duhani…
E, a do të mund t’i realizoj synimet e mia, do të tregojë koha…”, thotë biznesmeni, humanisti, patrioti dhe babai i pesë fëmijëve, Ilir Sinani.

Sidoqoftë, vlen të përmendet se Ilir Sinani, kohë më parë, hapi Marketin “Molla”, në qytetin Haag në Oberbayern të Gjermanisë, i cili është i furnizuar me produkte ushqimore të Kosovës.
Po ashtu, të njëjtin market e hapi edhe në qytetin Mynih.
Andaj, bashkatdhetarët tanë më nuk kanë nevojë t’i bartin gjërat ushqimore të Kosovës për në Gjermani, sepse i gjejnë në marketët e lartpërmendur dhe ndihen më afër vendit e traditës së tyre…

Vjollca Sinani zbulon anën tjetër të biznesmenit…
Është e famshme thënia se “Pas një burri të suksesshëm qëndron një grua e fortë”. E tillë duket të jetë edhe e shoqja e Ilir Sinanit, Vjollca, e cila në këtë intervistë kujton kohën e njohjes me Ilirin, si ia mori zemrën, si është të jesh grua e një biznesmeni të njohur, e të tjera…
“Në kohën kur jemi takuar, njohur, nuk kishte rrjete sociale si tash. Ishte takim rasti. Dhe, që në takimin e parë Iliri ishte shumë i sinqertë me mua. Fillimisht, dilnim fshehurazi…
Dhe, sado që ato ditë ishin të këndshme, isha e stresuar, meqë isha shumë e re, vetëm 16 vjeçe.
E, më pas gjërat rrodhën në mënyrën më të mirë të mundshme…”, thotë zonjë Vjollca, bashkëshorte e biznesmenit shqiptar të dëshmuar në Diasporë, Ilir Sinani.
“Siç thash më lart, sinqeriteti i Ilirit është i pakrahasueshëm, por edhe atdhedashuria për vendin e vet. Kështu, edhe ma fitoi zemrën”, tha Vjollca, teksa flet për kohën e rinisë së hershme dhe fillimet e lidhjes me Ilirin, atëherë djalë i ri e me ëndrra të mëdha…
Përndryshe, bashkëshortja e Ilir Sinanit është çdo herë përkrah tij dhe kanë bashkëpunim të vazhdueshëm…
“Ndjehem krenare pranë Ilirit dhe jemi bashkë në çdo sukses e sfidë. Çdo sekondë i kaluar me të ka vlerë të veçantë për mua dhe familjen tonë”, shton Vjollca.
Por, edhe Vjollca njihet për shpirtin e saj human… “Po, kam dëshirë të ndihmoj aty ku ka nevojë dhe bëj aq sa mundem”, thotë ajo.
Gruaja dhe mbështetësja e madhe e biznesmenit Ilir Sinani, po ashtu, thotë se për një lidhje të qëndrueshme, të fortë dhe që mund të konsiderohet model, duhet të ketë gjithmonë sinqeritet, mirëkuptim dhe dashuri.

g.dili

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]