fbpx

Çka i ndodh trupit dhe mendjes kur dashurojmë?

nga Revista Kosovarja

Skuqja e faqeve, dridhja e duarve, topi që formohet në bark dhe ngjitet drejt gojës, pamundësia e qëndrimit në një vend, zemra që bëhet gati për të vrapuar… janë disa ndryshime që po të ndodhin kur ta keni parë dikë që e pëlqeni apo mendoni për të, sugjerojnë se jeni TË DASHURUAR! Urime! Zemra, si organ, i merr të gjitha meritat e dashurisë. Kur e duam dikë, kur shprehim dashuri, madje tash së fundi edhe kur japim gola në fushë, i bashkojmë dy duart duke formuar siluetën e zemrës.

Truri nuk ka vend në këto festime edhe pse pa ndodhur disa reaksione kimike në tru, nuk ka mundësi të skuqemi, të frikësohemi, të mos dimë çfarë të bëjmë para personit që e duam. Është dëshmuar tanimë se po ta shohim fotografinë e të dashurit apo të dashurës sonë dhe atë të një tjetri ndaj të cilit nuk ndjejmë dashuri, ndryshojnë zonat trunore të cilat aktivizohen. Rezonanca magnetike funksionale ka vënë në pah se zona tegmentale ventrale (pjesa ballore e poshtme e trurit) dhe bërthama kaudate janë dy pjesët e trurit që reagojnë në dashuri. Këto dy zona përbëjnë “qarkun e shpërblimit” – bërthama kaudate i integron përvojat e ndjeshmërisë në sjelljen sociale, kurse zona tegmentale ventrale shoqërohet me kënaqësinë, vëmendjen dhe motivimin për ta ndjekur dhe fituar shpërblimin. Të dyja zonat janë të pasur me DOPAMINË, prandaj dopamina e merr epitetin e “neurotransmiterit të kënaqësisë”.

Të rënit në dashuri i aktivizon këto pjesë të trurit që në qarkullim nuk e lirojnë vetëm dopaminën. Tok me të, niveli i kortizolit në organizëm rritet dhe organizmi vihet në alarmin e “krizës së dashurisë”. Oksitocina përveç rolit të vetë në shtatzëni dhe gjidhënie, provokon ndjenjën e plotësimit shpirtëror, qetësisë dhe të sigurisë, duke u aktivizuar nga kontakti lëkurë më lëkurë e partnerëve. Kurse, vazopresina supozohet se luan rol në përafrimin e partnerëve edhe pas shuarjes së dashurisë fillestare, pasionante.

Përveç se nxiten mekanizmat pozitivë, paralelisht shtypen ato negativë. Derisa jemi të përfshirë në dashurinë romantike, vlerësimi kritik i njerëzve të tjerë (përfshirë edhe partnerin) shuhet. Prandaj edhe baza e idiomës “dashuria është e verbër”.

Dr.Blerim Myftiu

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]