Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra, u zotua se sapo të funksionalizohet Kuvendi i Kosovës, partia e saj do të ndërmarrë hapa për të kërkuar shkarkimin e bordit të ZRRE-së.
“Pasi Kuvendi të jetë funksional dhe nëse i kemi numrat e nevojshëm, do të angazhohemi maksimalisht për shkarkimin e bordit të ZRRE-së,” tha ajo.
Sipas Deliu Kodrës, vendimet e këtij bordi janë marrë pa transparencë dhe llogaridhënie, ndërsa kritikat i drejtoi edhe ndaj udhëheqjes së institucionit: “Kemi parë një mungesë të theksuar të transparencës dhe qëndrime arbitrare nga ana e bordit, përfshirë edhe qasjen problematike të kryesuesit të ZRRE-së në komunikim publik,” shtoi ajo në RTV21.