fbpx

Deputetët mblidhen sot për herë të shtatë për konstituimin e Kuvendit, LVV s’diskuton më për “marrëveshje politike”

nga Revista Kosovarja

Deputetët do të mblidhen sot në 10:00 për herë të shtatë për konstituimin e Kuvendit, ndërsa ngërçi institucional po vazhdon që prej 15 prillit, kur nisi seanca konstituive.

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, të premtën dështoi sërish t’i merrte 61 votat e nevojshme. Vetëm 57 deputetë votuan për zgjedhjen e saj në këtë pozitë.

LVV-ja po insiston në emrin e Haxhiut, deputetes e cila për Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës konsiderohet si figurë përçarëse.

Një takim “konsultativ” i thirrur nga LVV-ja, u mbajt të mërkurën, pasi paraprakisht, të hënën, nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca kërkoi “kohë shtesë që të mos përsëritet situata e njëjtë” dhe përmendi nevojën për një “marrëveshje politike” për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Takimi rezultoi i pasuksesshëm, siç dëshmoi vazhdimi të premtën.

Kryesuesi i seancës konstituive, deputeti i LVV-së Avni Dehari i tha Radios Evropa e Lirë të premten se nuk e kanë ndëruarr kandidaturën dhe konfirmoi se s’ka ndonjë përpjekje tjetër për të diskutuar me partitë e tjera për gjetjen e një zgjidhjeje.

“Jo, e kemi kryer takimin konsultativ, tash do të vazhdojmë me mbledhjen, siç është në plan”, është shprehur Dehari.

Deri tani, LVV-ja nuk ka dhënë shenja se do ta sjell një emër tjetër si kandidat/e për kryetar/e të Kuvendit.

PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja thonë se LVV-ja nuk mund t’ua obligojë votimin e Haxhiut për kryeparlamentare, ndërsa nga partia e Albin Kurtit kjo interpretohet si shkelje, pavarësisht se deputetët e kësaj partie nuk kanë votuar asnjëherë më parë asnjë kandidat për kryetar të Kuvendit që s’ka ardhur nga kjo parti.

PDK-ja dhe AAK-ja kanë thënë se do të ishin të gatshëm ta shqyrtonin votimin e një emri tjetër nga LVV për kryetar të Kuvendit, ndërsa LDK-ja ka thënë se nuk do ta votojë asnjë emër nga kjo parti.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë të mërkurën se janë të gatshëm për takim me LVV-në, për të diskutuar për një “kandidaturë tjetër” që “mund të jetë e pranueshme”.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha atë ditë se ‘do të ishte edhe në interes të tyre (LVV-së) që ta propozojnë ndonjë kandidaturë unifikuese dhe të kalojë ky bllokim”.

Ai më herët ka përmendur Saranda Bogujevcin dhe Shqipe Mehmeti Selimin si dy emra që deputetët e AAK-së do t’i votonin për kryetare të Kuvendit. Deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, tha së fundmi se “mund të jetë edhe ndonjë emër tjetër” nga LVV-ja që ata do ta votonin.

Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]