Për të pestën herë me radhë, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të zgjedhë kryetarin e tij, duke zgjatur krizën institucionale dhe penguar hapat drejt formimit të Qeverisë së re.
Mbledhja e sotme e deputetëve, që nisi në orën 10:00, kishte për qëllim konstituimin e Kuvendit, përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, por gjithçka përfundoi pa rezultat.
Lëvizja Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve, ka mbetur e palëkundur në qëndrimin e saj për të propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit – një emër që po has vazhdimisht në kundërshtimin e opozitës.
Haxhiu në seancën e sotme mori 57 vota, të pamjaftueshmë për të marrë në duar timonin e Kuvendit.
Për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit nevojiten të paktën 61 vota nga 120 deputetë, por në mungesë të konsensusit politik, ky numër po del i paarritshëm.
Opozita, përfshirë PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj, duke refuzuar ta mbështesë kandidaturën e Haxhiut, çka ka rezultuar me një tjetër dështim.
Përderisa Kuvendi nuk po arrin të konstituohet, edhe formimi i Qeverisë së re mbetet i bllokuar, duke shtuar pasigurinë politike në vend.
Seanca e radhës është shtyrë për të premten./