fbpx

Dreqi në Parlament!

nga Revista Kosovarja

Shumë seanca parlamentare kanë dështuar shkaku i kuroumit! E, deputetë ka sa të duash, shkruan “Kosovarja”.

Shumë tensione e përplasje po ndodhin në seancat parlamentare, nevojë e pa nevojë!

Shumë “bojlera e filtera” janë duke u “rinovuar” në Kuvendin e Kosovës, pa e ditur se kush, në fakt, po rrenë!

Në anën tjetër, deputetët e minoritetit serbë qëndrojnë të privilegjuar e të kënaqur me gjithë atë që ndodh në parlament.

Ata vijnë në seanca vetëm kur flitet për interesat e tyre. Kohën tjetër e kalojnë duke i bllokuar rrugët në veri të Kosovës me mjete transportuese, të cilat i kanë blerë me buxhetin e shtetit të Kosovës!

E, për ta shpjeguar më mirë se çka po ndodh në parlament, njeriu dyshon se parlamenti ka magji dhe se aty rri “një dreq i madh”, i cili i ngacmon deputetët, pastaj krijohen krizat…

Por, nejse…
Një herë e një kohë, bëhen bashkë do burra dhe marrin vendim ta vizitojnë dreqin. Ta shohin si jeton ai në shtëpinë e vet…

Kur arrijnë në shtëpinë e dreqit, ai u del para, i shti brenda dhe i ulë te oxhaku…

Gjatë ndejës një burrë e sheh te dera një qyrk të vjetër, panla-panla…

E pyet dreqin:
“Çka është ai qyrk krejt panla-panla?”.
“Atë qyrk e mbaj për t’i mbuluar njerëzit që të mos zgjohen nga gjumi!”.

Por, edhe këtë herë nejse…
A po e kuptoni se kjo u përshtatet deputetëve tanë? Para pak ditësh i tha një deputet kryeparlamentarit që të mos vonohet në seanca nga 45 minuta, ose të tregojë se do vonohet…

Konjufca i tha se as ju nuk keni qenë më të mirë kur keni qenë në pushtet! Kemi pritë ne, tash pritni ju!

Andaj, batuta e lartpërmendur për dreqin e qartëson më së miri: Në parlament rri dreqi, i cili i mbulon me qyrk deputetët dhe qeveritarët që t’i zë gjumi sa më mirë…

Por, edhe tash nejse…
Gjatë ndejës te dreqi, njëri prej mysafirëve e pyet dreqin:
“Po, këtë gjilpërë kaq të madhe pse e ke varur në mur? Çka të duhet?”.

Dreqi i përgjigjet:
“Me këtë gjilpërë i ngacmoj njerëzit që ta ndezin muhabetin! Për shembull, kur një deputet nis të flasë, unë e ngacmoj tjetrin dhe ai reagon aty për aty…

Pas pak e ngacmoj një tjetër, më vonë një tjetër dhe “ndizet” parlamenti!

E edhe këtë herë nejse…
A e keni parë se si e braktisnin deputetët parlamentin? Një nga një ikin derisa salla mbetët bosh…

Dikur të njëjtën gjë e bënte edhe “Vetëvendosja” me në krye Albin Kurtin. E tash një gjë të tillë po e bëjnë të tjerët…

Por, hajt de, nejse…
“Po ky kavanoz në raft çka të shërben?”, e pyet tjetri dreqin.

“Në të ka mjaltë. Ua lyej gishtat njerëzve që t’u hyjë lakmia për para!”.

Kjo ma kujton një fakt: Asnjë deputet, kurrë nuk ka dhënë, bie fjala, një mëditje për ndonjë rast skamnor! Sepse, apetitet i kanë të mëdha, janë të pangopshëm!

Pagë të majme po, mëditje po, pagesë për çdo mbledhje në komisione të ndryshme po. Pra, me marrë kanë qejf a me dhënë e kanë mërzi… Safet Krivaça /Kosovarja/

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]