Rejhan Bela, 18-vjeç dhe Rilind Murati, 21-vjeç, publikonin video-mesazhe me motive fetare në rrjetet sociale.
Në shkurt të këtij viti, ata dy si pjesë e shoqatës Rinia Islame në Kaçanik, ishin shfaqur në një video-mesazh me përmbajtje fetare.
“Allahu ka thënë: Xhamitë i janë kushtuar vetëm Allahut, andaj mos iu lutni askujt krahas Allahut”, dëgjohet duke thënë Rejhan Bela në këtë video.
Pastaj, mesazhi vazhdon nga Rilind Murati, po ashtu i arrestuar për planifikimin, organizimin dhe vrasjen e rreshterit Lika.
“Ka thënë Muhammedi A.S.: Çdo tradhtari e të pabesi do t’i ngritet një flamur në ditën e kiametit dhe do të shpallur hapur se: ky është tradhati dhe mashtruesi i filanit, i birit të filanit”, thotë Murati.
Disa prej të arrestuarve për vrasjen e rreshterit Lika dyshohet se kanë raste të hapura penale në Policinë e Kosovës, bëri të ditur sot Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha në një konferencë për media në Ferizaj.
Hoxha tha se disa nga të arrestuarit kanë të precedent penalë në raste me prirje të ekstremizmit fetarë, si dhe disa prej tyre kanë qenë të arrestuar për rastin e djegies së Gjykatës në Kaçanik.