Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes.
Një rast i tillë është raportuar të ketë ndodhur mbrëmë në një familje në Klinë, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Sinjali mëson se ngjarja ndodhi pas një konflikti verbal që eskaloi në dhunë fizike, ku i dyshuari e sulmoi brutalisht gruan me grushte në kokë e në trup.
Për pasojë, viktima përfundoi në spital, ku po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Si rezultat i denoncimit, Policia është vënë në lëvizje dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme që ndihmojnë në lokalizimin e vendndodhjes së të dyshuarit, i cili me të kryer veprën është arratisur.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Dhunë në familje’.