fbpx

E rrallë: Një foto dhe pak fjalë të Ismet Pejës para 60 vitesh

nga Revista Kosovarja

Asht nji ndër solistët më të popullarizuem të Radio Prishtinës. E bani të njohtun sidomos kanga “Moj Bakushe” dhe duetet e bukura që këndon me Faik Rizvanollin.

Ismetin e takuam në katundin Brekoc. Asht mësues i shkollës fillore.

– Ma së shumti më pëlqen kanga që këndoj me Faikun “Kah pranvera”. Nexhmije Pagarushën e ndëgjoj me andje të madhe. Ndërsa prej të huajve – Pat Bunin dhe Frenk Sinatrën.

Edhe Ismeti filloi me këndue herët…
– Të gjithë anëtarët e familjes sime janë kangëtarë të njoftun të Gjakovës. Baba më mësoi edhe mue me këndue. Këndojsha në shkollë dhe isha tepër i lumtun.

Shfaqja që nuk e harroj kurrë asht ajo që u organizue në vjetin 1960, në Shtëpinë e Sindikatave në Beograd, ku këndova bashkë me Nexhmije Pagarushën.

Nëpër ndeja e në rrethin e shokëve, të gjithë kërkojnë me e këndue sidomos kangen “O bylbyl o shpend i bardhë”…

– Në diskotekën e Radio Prishtinës kam içizue deri tash nantë kangë solo dhe gjashtë duete me Adem Ejupin, Sanije Shalën dhe Faik Rizvanollin.

Planet e mija?
Këtu, si mësues, kam mjaft kohe me pune. Puna në shoqninë kulturo-artistike po më ndihmon në përparimin tim. Mendoj se vjetin e ardhshëm do të shkoj me studjue në Akademinë e muzikës. Tash, momentalisht, po përgatis disa kangë të reja.

P. S.
Ky shkrim është botuar në vitin 1960. Po e ribotojmë me rastin e vdekjes së para do ditshme të doajenit të muzikës popullore shqiptare, Ismet Pejës.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]