fbpx

Ermal Peçi largohet nga RTSH, i pezullohet emisioni ky është reagimi i tij

nga Revista Kosovarja

Moderatori i njohur, Ermal Peçi, ka konfirmuar largimin e tij nga Radio Televizioni Shqiptar, duke ngritur zërin kundër mënyrës se si është trajtuar programi i tij.

Përmes një postimi në Instagram, Peçi ka ndarë zhgënjimin e tij lidhur me pezullimin e emisionit “E Diela Jonë”, i cili sipas tij është ndërprerë papritur dhe në kundërshtim me çdo procedurë ligjore nga drejtuesit aktualë të RTSH-së. Ai nënvizon se ky vendim është marrë pa transparencë dhe pa asnjë komunikim zyrtar.

“Është koha të flas. Jo për dramë, por për të vërtetën,” shkruan Peçi, duke theksuar se programi i tij arriti të ketë ndikim të vërtetë në dy sezone transmetimi, si në ekran ashtu edhe në rrjetet sociale.

Postimi i tij:

Tani është koha për të folur. Faleminderit nga zemra për të gjithë ju që vazhdoni të më shkruani e më pyesni: “Pse u ndërpre programi ‘E Diela Jonë’ në RTSH?” Është koha të ndaj të vërtetën që duhet të dini — jo për dramë, por për transparencë. Ju detyrohem. Programi im, i yni, i ndërtuar me pasion, profesionalizëm dhe shumë punë, u pezullua në mënyrë të papritur nga drejtimi aktual i institucionit duke mos respektuar asnjë procedure ligjore. “E Diela Jonë” arriti në dy sezone të kishte një ndikim real — jo vetëm në ekran, por edhe në rrjetet sociale, ku shënoi shifra rekord audience.

Këto nuk janë thjesht ndjesi personale: janë të faktuara publikisht në rrjet, ashtu edhe nga analizat mujore të brendshme të RTSH-së. Ishte një sukses që e ndamë bashkë, u përqafua nga publiku me target mosha të ndryshme. U përqafua po ashtu nga artistët dhe figurat publike më të rëndësishme në vend.

Shumë prej tyre erdhën tek unë pas shumë vitesh pa shkelur në studiot e RTSH-së, madje disa për herë të parë, në momentet e tyre më të forta artistike. Megjithatë, mes vendimesh të çuditshme dhe ndikimesh të pashpjeguara, programi u ndërpre. Dua të theksoj: RTSH nuk është pronë private. Është një institucion publik, dhe çdo program aty duhet të ekzistojë për publikun — jo të mbyllet mes sezonit.

Unë nuk do të hesht, dhe as nuk do të ndalem. Të gjithë ata që përpiqen të fshehin të vërtetën, le të kujtojnë se drejtësia është ende aty. Dhe do flasë. Shumë më shpejt se sa e mendojnë. Transparenca në një media publike është jo vetëm e nevojshme, por e detyrueshme. Dhe publiku ka të drejtë të dijë arsyet e vërteta të çdo vendimi që prek programet që ndjek, perqafon, shikon dhe klikon. Faleminderit që jeni këtu, me mua! Për ju, për veten time dhe për të gjithë ata që punojnë ndershmërisht, kjo është vetëm një shtysë për të vazhduar më fort. Me më shumë arsye. Me më shumë besim.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]