fbpx

Familja nga Podujeva në kërkim të vajzës së zhdukur prej katër ditësh

nga Revista Kosovarja

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen të zhdukur. Shumë shpesh angazhohen edhe njësi e grupe vullnetare që të zbulojnë gjurmët e personave që nuk dihet asgjë për fatin e tyre.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Podujevë, ku një vajzë, rreth 19-vjeçare është zhdukur prej katër ditësh dhe vendndodhja e saj mbetet ende e panjohur.

Burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rasti është denoncuar sot në Stacionin Policor të Podujevës nga babai i 19-vjeçares, i cili ka raportuar se vajza e tij është larguar nga shtëpia më 22 prill 2025, rreth orës 11:55 dhe prej asaj dite familjarët nuk kanë asnjë informacion për vendndodhjen e saj.

Sipas deklaratës së babait të të zhdukurës, ajo vuan nga probleme shëndetësore dhe nuk di të orientohet për t’u kthyer në shtëpi.

Burimet e Sinjalit tregojnë se kjo nuk është hera e parë që vajza largohet, por kësaj radhe shqetësimi i familjes është më i madh, pasi ajo nuk është kthyer për ditë të tëra.

Policia është në dijeni të rastit dhe, në koordinim me Prokurorinë, ka nisur procedurat e kërkimit.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]