fbpx

Filantropi shqiptar, Lazim Destani, shpëton jetën e njerëzve

nga Revista Kosovarja

Edhe një lajm i mirë, si gjithherë humanitar, nga Gjiganti i njohur e me përmasa edhe ndërkombëtare, nga “Ecolog”, shkruan “Kosovarja”.

Presidenti i Kompanisë “Ecolog”, njëherësh filantropi i njohur shqiptar, Lazim Destani, si dhe familja e tij, dje dhuruan dhjetë autoambulanca për qendrat kryesore të shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut.

Tetova, Gostivari, Kumanova, Kërçova, Dibra, Struga, Manastiri, Velesi dhe Shtipi, nuk do të kenë më vështirësi në rast urgjencash. Autoambulancat e dhuruara janë të pajisura me të gjitha elementet e nevojshme për intervenim, si dhe kanë pajisje shtesë edhe për rastet me Covid-19.

Ky donacion është shpresë për popullatën e viseve të lartpërmendura, sepse do të kenë më pak jetë të humbura dhe më pak vuajtje të të sëmurëve.

Me këtë rast, z. Lazim Destani, në rrjetin e tij social thotë:

“Më vjen mirë që nëpërmjet biznesit tonë familjar po e bëjmë donacionin e radhës. Pandemia vazhdon të kërcënojë e të marrë jetë, andaj është sfera e shëndetësisë ajo që kërkon vëmendje.

Për ta sjellë ndihmën mjekësore sa më shpejt te ata që kanë nevojë, apo për transportimin e pacientëve në qendrat më të specializuara, këtë herë u përcaktuam të dhurojmë autoambulanca të kompletuara me pajisje spitalore të teknologjisë më të re, përfshirë edhe ato për Covid-19.

Shpresoj se ky donacion të jetë një ndihmë për spitalet e Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që shërbimet e emergjencës të jenë sa më efektive ndaj kërkesave të popullatës e të pacientëve që ndihmën e shpejtë e kanë aq të nevojshme.

Uroj, gjithashtu, sa më i vogël të jetë numri i atyre që do kenë nevojë për këtë ndihmë”.

Me këtë rast, ua kujtojmë se vetëm në dy vitet e fundit, qëkur ndodhi tërmeti në Shqipëri, më pastaj edhe pandemia, Lazim Destani dhe familja e tij dhuruan ndihma milionëshe për shpëtimin e jetëve të njerëzve, por edhe për përcjelljen online të mësimit të nxënësve në të gjitha viset shqiptare, por edhe për emergjencat sporadike.

Andaj, me shpirtin e tij human, me edukatën familjare e kombëtare dhe, mbi të gjitha, me vlerën njerëzore që mundë vlerat monetare, Lazim Destani është bërë emër, personalitet i dashur, i njohur gjithandej në trojet shqiptare, duke qenë gjithmonë pranë atyre që kanë nevojë.

Sidoqoftë, praktika e deritashme ka dëshmuar se Lazim Destani nuk dhuron ndihma për lavd, por ndihma që shkojnë drejtpërdrejt në përmirësimin dhe shpëtimin e jetës së njerëzve. /Kosovarja/

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]