fbpx

“Forcat serbe i kanë djegur të gjallë dhe përdhunuar fëmijë” – përplasja e Bill Clinton dhe presidentit rus Boris Yeltsin

nga Revista Kosovarja

Në prill të 1999-ës, Rusia kërkonte që lufta e Kosovës të zgjidhej përmes bisedimeve, që do t’i jepnin Kosovës një autonomi të zgjeruar dhe Jugosllavisë do t’i ruante integritetin territorial të njohur ndërkombëtarisht deri në ato ditë.

Propozimi është bërë nga Presidenti Boris Yeltsin në një telefonatë të zhvilluar me Presidentin e SHBA, Bill Clinton më 19 prill të 1999, tre javë pasi NATO kishte nisur fushatën e bombardimeve në ndaj trupave të Millosheviçit.

“Ndajmë të njëjtin qëndrim në lidhje me nevojën për të rinisur punën në nivel politik dhe gjetjen e një marrëveshjeje që do t’i jepte Kosovës një autonomi të zgjeruar dhe ruante integritetin territorial të Jugosllavisë”, i thotë Yeltsin presidentit të SHBA, Bill Clinton.

Gjatë telefonatës së siguruar nga Gazeta Shqip dhe Zona Zero, Yeltsin kundërshton në çdo formë praninë ndërkombëtare në Kosovë.

“Ndasia e madhe që kemi ne lidhet me praninë ndërkombëtare në Kosovë. E kuptojmë se pa praninë ushtarake ndërkombëtare nuk mund të ketë rikthim të sigurt të refugjatëve, por çështja e pranisë ndërkombëtare duhet biseduar dhe zgjidhur me lidershipin jugosllav”, thotë Yeltsin.

Presidenti rus i thotë atij amerikan se mezi i kishte mbushur mendjen Millosheviqit për një mision civil ndërkombëtar në Kosovë.

Ai thotë se Rusia dhe SHBA duhet të tregohen largpamëse në këtë pjesë dhe të nisin punën në këtë drejtim, duke ndërprerë bombardimet e NATO-s dhe nisur misionin civil në Kosovë.

Yeltsin më pas njofton Clinton për emërimin e Viktor Chernomyrdin si të dërguar të tij të posaçëm për Jugosllavinë. Ai beson se shqiptarët dhe serbët mund të ulen në tryezë për të biseduar me një kusht.

“Bill, mendoj se kemi nevojë për një udhëheqës të fortë shqiptar në Kosovë, në mënyrë që ta ulim në tryezën e bisedimit me Millosheviçin. Sigurisht, na nevojiten edhe sinjale nga NATO nëse duam të gjejmë në zgjidhje. Është e qartë se Jugosllavia nuk do ta pranojë kurrë një mision ushtarak, sidomos nëse udhëhiqet nga NATO”, deklaron Yeltsin.

Presidenti rus propozon “Helmetat Blu” të OKB , mes të cilëve të jetë edhe një kontigjent trupash ruse. Por, Yeltsin e njofton Clinton se bombardimet e NATO-s janë një pengesë për negociatat dhe gjetjen e një zgjidhje.

“Bombardimet duhet të ndalen menjëherë. Merret lehtësisht me mend se nuk mund të mendosh për një zgjidhje kur të bien bombat dhe raketat mbi kokë dhe rreth teje. Duhet gjetur një arsye për të ndaluar bombardimin dhe kjo varet nga ty”, i thotë ai.

Yeltsin thotë se në këmbim, Rusia do të bashkëpunojë plotësisht dhe do të ushtrojë presion ndaj Millosheviçit. Yeltsin thotë gjithashtu se kishte udhëzuar të dërguarin e tij të posaçëm që të siguronte mbështetje mes vendeve myslimane për shqiptarët, në mënyrë që ata të uleshin në tryezë me Millosheviçin.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]