fbpx

Hashim Thaçi kthehet nga Haga për të tretën herë – sëmundja e prindit përsëri arsye – çfarë ndodhi sot

nga Revista Kosovarja

Ish-presidenti Hashim Thaçi sot realizoi vizitën në Kosovë te babai i tij i sëmurë pas më shumë se një muaji që kur bëri kërkesën për herë të parë. Dy herë Thaçit iu refuzua kërkesa, ndërsa për kërkesën e tretë, Dhomat e Specializuara të Hagës thanë se e aprovuan për “arsye bindëse humanitare”. Që prej se i është ngritur aktakuzë nga Gjykata Speciale Hashim Thaci është kthyer për të tretën herë në Kosovë, përsëri për shkak të sëmundjes së prindit. Si zakonisht, vizita është kryer nën masa të rrepta sigurie.

Ka një kohë që gjendja shëndetësore i është përkeqësuar Haxhi Thaçit, babait të Hashim Thaçit. Për shkak të kësaj, Thaçi, i cili gjendet në paraburgim në Hagë, kishte kërkuar që të lejohet për vizitë te ai.

Ai kishte bërë kërkesë më 31 janar 2025 nga gjyqtarët në të dyja rastet e tij, në atë për krime lufte dhe tjetrën për administrim të drejtësisë, që ta lirojnë për vizitë humanitare në Kosovë.

Sipas vendimit të 31 janarit 2025, mbrojtja e Thaçit kishte paraqitur se gjendja shëndetësore e babait të klientit të tij përben rrethana urgjente dhe të jashtëzakonshme që justifikojnë lirimin e Thaçit për arsye humanitare. Në të dy rastet, kërkesa e tij ishte refuzuar.

Për këtë refuzim kishte shkruar më 6 shkurt, avokati i Thaçit, Luka Misetiq, i cili kishte shpjeguar se gjendja e babait të Thaçit s’ishte e mirë.

“Babai i klientit tim Hashim Thaçi është mjaft i sëmurë dhe është kthyer në spital. Ne kishim kërkuar që Hashim Thaçi t’i jepej një lirim i shkurtër dhe i mbikëqyrur për ta vizituar për arsye dhembshurie. Prokuroria e Specializuar kundërshtoi dhe gjyqtarët e mohuan vizitën”, kishte thënë ai.

Herën e dytë kur Thaçi mori sërish një përgjigje negative ishte më 26 shkurt.

Mbrojtja atëherë kishte thënë se babai i Thaçit ka pësuar një keqësim të gjendjes shëndetësore që nga vendimi i parë për refuzimin e vizitës në Kosovë në janar të këtij viti.

Vendimi thoshte se mbrojtja ka parashtruar se babai i Thaçit është shtruar në spital në shkurt të 2025-ës, ndërsa kishte propozuar edhe vendin e vizitës e po ashtu se kush mund të jetë shoqërues.

Zyra e Prokurorit të Specializuar më pas ishte përgjigjur në këtë kërkesë të mbrojtjes duke thënë se babai i Thaçit nuk është i shtruar në spital por në një vend, informacioni për të cilin është i redaktuar për publikun.

ZPS-ja pretendoi se liria e kërkuar nga Thaçi paraqet rrezik për pengim dhe ndërhyrje në drejtësi ashtu siç e kishte theksuar edhe në kërkesën e parë të Thaçit për këtë vit lidhur me lirimin e përkohshëm.

Ndërkaq, në një vendim të gjykatës thuhej se gjyqtarja është e vetëdijshme që babai i Thaçit është në moshë të shtyrë por që tani për tani nuk ka ndonjë informacion që tregojnë se gjendja e tij shëndetësore është kritike.

“Gjykatësja është e vetëdijshme se babai i Z. Thaçi është në moshë të avancuar dhe ka pasur [REDAKTUAR].

Gjykatësi gjithashtu shqyrton faktin se babai i Z. Thaçi ka qenë [REDAKTUAR] deri në [REDAKTUAR] shkurt 2025. Gjykatësi thekson gjithashtu që, ndonëse gjendja shëndetësore e tij ka pasur përkeqësim, nuk ka asnjë informacion që sugjeron se gjendja e tij është një krizë akute ose kërcënuese për jetën”, thuhej në vendim.

Për këtë vendim të gjykatës kishte reaguar Vlora Çitaku e PDK-së e cila pyeti nëse “ka një matës për dhimbjen e prindit që pret të shohë të birin para se të mbyllë sytë”.

‘Gjykata Speciale paska deklaruar që nuk ka arsye të mjaftueshme për ta liruar për vizitë Presidentin Thaçi. Se baca Haxhi, i shtrirë në shtrat, duke luftuar me dhimbjen dhe moshën, nuk qenka “mjaftueshëm” i sëmurë. Sa më shumë duhet të vuajë një baba që t’i njihet dhimbja? Sa duhet të rëndohet shëndeti i tij që ta quajnë “boll”? A ka një matës për dhimbjen e prindit që pret të shohë të birin para se të mbyllë sytë? Kjo nuk është drejtësi! Kjo nuk është njerëzi! Një zemër e lodhur pret të rrahë edhe një herë me shpresën e një përqafimi të fundit. Por edhe këtë të drejtë ia mohojnë. Historia do të gjykojë edhe këto padrejtësi”, kishte shkruar ajo.

Po ashtu, për refuzimin nga gjykata kishte reaguar edhe familja e Thaçit.

Vëllai i tij, Idriz Thaçi, kishte thënë se babai i tyre po e kërkonte në vazhdimësi Hashim Thaçin për ta parë.

“Babës i është përkeqësuar sërish gjendja shëndetësore dhe ai vazhdimisht po kërkon të flasë me Hashimin, ta shoh atë. Kjo është e hera e tretë që po hospitalizohet brenda një periudhe të shkurtër dhe gjendja e tij çdoherë e më shumë po përkeqësohet. Përballë kësaj gjendjeje, refuzimi i vizitës së vëllait tonë nga ana e Dhomave të Specializuara është johuman, i padrejtë dhe shkelje e të drejtave të tij. Nuk ka procedurë apo rregullore që nuk ia mundëson vizitën, prandaj ky refuzim është vetëm politik”, kishte thënë ai.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]