fbpx

I arrestuari bëri vetëvrasje, arrestohen policët

nga Revista Kosovarja

Tre punonjës policie u arrestuan për ngjarjen e rëndë që ndodhi dje në mjediset e komisariatit të Kavajës ku dyshohet se vrau veten një 31-vjeçar, i arrestuar.

Nga hetimet paraprake u zbulua se Ilvi Meta ka kryer vetëvrasje duke përdorur lidhësen e kapuçit të bluzës që mbante veshur dhe se nuk kishte shenja dhune në trup.

Për vdekjen e Ilvi Metës janë arrestuar për shpërdorim detyre dhe mosrespektim të procedurave të sigurisë së personave të ndaluar e arrestuar efektivët e policisë Bexhet Berberi, Rushit Kola dhe Petrit Brahimaj.

Sipas burimeve policore, dy prej këtyre shtetasve kanë qenë në shërbim ditën e djeshme te dhoma e ndalimit, ndërsa i treti ka qenë oficeri i shërbimit në turn pranë komisariatit të policisë, ku i riu kreu vetëvarjen.

31-vjeçari Ilvi Meta ishte arrestuar pasdrekën e ditës së djeshme me vendim të gjykatës së Kavajës si person i dyshuar për vjedhje.

Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije, se dyshohet që viktima ta ketë ndërmarrë aktin duke qenë nën presion për të pranuar edhe vjedhje të tjera të ndodhura në zonë.

Shkaqet e vdekjes mbeten ende mister dhe pritet që ekspertiza mjeko-ligjore t’i saktësojë ato duke ndihmuar më tej hetimet dhe përgjegjësinë mbi vdekjen e dyshimtë brenda ambienteve të policisë.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]