fbpx

S’duhet pasur kurrë arsye për t’u dorëzuar

nga Revista Kosovarja

Santiana Maloku është një prej modeleve që ka spikatur në “She’s on Top”, por këtë të diel, më shumë se performanca në pasarelë, Santiana i bëri të gjithë për vete me historinë e saj të trishtë.

Ajo rrëfeu fëmijërinë e vështirë në Gjakovë pas braktisjes së të atit, kur ishte vetëm 2 vjeç dhe tentativat e familjarëve për ta lënë në shtëpinë e fëmijës për shkak të mentalitetit dhe kushteve të vështira me të cilat u duhej të përballeshin. Por rrugës për në jetimore, ajo i tha gjyshit të saj një fjali, pas së cilës, ai ndërroi mendje menjëherë dhe vendosi që ta mbante gjithmonë pas vetes.

Deri në moshën 7-vjeçare, Santiana u rrit me idenë se nëna dhe gjyshi ishin prindërit, duke menduar se e ëma ishte motra e saj e madhe, derisa zbuloi nga një lojë me shoqet se ajo që për gjithë ato vite e kishte konsideruar motër ishte, në fakt, e ëma.

E ftuar pasditen e sotme në “Ftesë në 5”, Santiana tregoi më shumë detaje për historinë që i la të gjithë pa fjalë të dielën në “She’s on Top”.

Takimin e parë me të atin, ajo e pati kur mbushi 18 vjeç dhe pas atij takimi, pati një telefonatë që e shkëputi përfundimisht marrëdhënien me të.

“Pasi u shërua mami nga kanceri, 2 vjet më vonë u diagnostikova unë, sepse e kisha të trashëguar nga ajo. Mami nuk e di, por unë e telefonova babin për t’i kërkuar një shumë parash që më duhej për operim. Ishte shansi i parë dhe i vetëm që ai mund të tregonte se ishte babi im dhe donte të më kishte, por s’e bëri dhe prej atij momenti s’dua ta shikoj më…” ,– tha modelja e përlotur duke shtuar:
“S’më besoi që isha sëmurë, më tha që isha tu rrejt. Në atë kohë më kanë ndihmuar njerëz të tjerë…”, – tha ajo me zërin e dridhur, por e bindur që raportin me të atin e ka të mbyllur përgjithmonë.

Me forcën që i jep prania e së ëmës dhe me energjinë që i buron nga zemra, Santiana ia ka dalë dhe ka gjithmonë kurajën për t’ia dalë. Sepse, siç thotë ajo, nuk ka kurrë arsye për t’u dorëzuar.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]