Zoti ua ka dhënë një fytyrë, e ju e bëni një tjetër.
E trishtueshme është kjo!
I PASHPRESI…
Pakënaqësia e qytetarëve, mosbesimi dhe zhgënjimi nga institucionet është gjithnjë duke u shtuar, duke u rritur.
Veprimet e pandryshuara qe 17 vjet pas shpalljes se Pavarësisë, ka bërë që edhe fjala shtet të mos ketë aq rëndësi, siç është dashur ta ketë, siç edhe e kemi menduar e pritur…
Ne të gjitha institucionet tona, me ndërrimin e stafit politik, e që ndërrohet në çdo ndryshim qeverie, stafi tjetër punësohet pa kritere dhe në mënyre jo transparente.
Rrallëherë institucionet tona shpallin konkurs publik për punësim, ndërsa përditë punësohen punëtore të rinj.
Pra, punësohen pa konkurs publik!
Punësohen ata që janë të afërm të menaxhmentit, të politikanëve e të tjerëve që kanë poste.
Dhe, në ato institucione mund të takohesh me filanin a filanen që është mik, dhëndër, kunatë, baxhanak, dashnore a sebep tjetër me dikë që është në krye të atij institucioni publik.
“Vallahi, bre dost, veç mund t’i dorëzosh dokumentet, se as ymyt mos mbaj se mund të punësohesh në atë vend pune. Në të cilin një fisnike ka kohë që punon…”, më thotë Ragip Ruhani, fjalët që ia kishte thënë njeriu që punonte në sportelin e institucionit ku kishte konkurruar.
Ragipi është rreth të pesëdhjetave. Moti ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik. Është i martuar dhe i ka tre fëmijë të rritur.
S’ka lënë vend pa konkurruar, ku edhe dëgjon se është hapur konkurs…
Por, kot!
“S’kam kurrfarë lidhje, o vëlla!”, më thotë i zh-gënjyer dhe i pashpresë se do gjej punë.
Andaj, jeta ia imponon të mendojë ta lëshojë Kosovën.
E, ky është vetëm një nga shumë të tjerë, të cilët janë mbushur me premtimet e liderëve dhe gjithnjë e më shumë po e humbin durimin…
LUTJA
Njerëzit e varfër, te uritur, nuk frustrohen me jetën. Ata nuk mund të jenë të frustruar.
Ata nuk kane jetuar ende
Por, jetojnë me shpresën…
Skamnori përherë e ka shpresën.
Skamnori gjithmonë shpreson se diçka do të ndodhë – nëse jo sot, atëherë nesër.
E, në qoftë se jo ne ketë jetë, atëherë në jetën tjetër… Eh, ne jetën tjetër!
Lutja e njeriut që i bëhet Zotit s’duhet të thuhet më: “Falna mëkatet tona!”. Por: “Ndëshkona, o Zot, për paudhësitë tona!”.
Gani Dili