fbpx

Kek me mollë dhe rrush të thatë

nga Revista Kosovarja

Kujt nuk do ti shijonte një kek teksa konsumon kafen e mëngjesit apo çajin e pasdites. Është një nga mënyrat më të mira për të nisur ditën ose për ta mbyllur atë.

Më poshtë do ju rekomandojmë një recetë të thjeshtë për ta bërë ditën tuaj më të ëmbël.

Përbërësit:

200 gr miell me fryrës për kek, 100 gr sheqer, 200 ml qumësht, 50 gr rrush të thatë, 50 gr lajthi, 2 vezë, 1 mollë e verdhë, 2 lugë kanellë, 1/2 bustinë pluhur pjekës, 1 bishtajë vanilje, 1 lëkurë portokalli, sheqer pluhur.

Përgatitja:

Në fillim vendosim rrushin e thatë në një enë të vogël me ujë të ftohtë, që të zbutet. Më pas, në një tas të madh, rrahim me mikser të verdhat e vezëve së bashku me sheqerin, vaniljen, kanellën dhe lëkurën e portokallit, derisa të formohet një masë kremoze.

Shtojmë me radhë qumështin, miellin, pluhurin pjekës, gjalpin dhe vazhdojmë përzierjen në mikser, derisa masa të njëtrajtësohet.

Rrahim veç të bardhat e vezëve dhe i përziejmë me kujdes me një lugë në brumin që përgatitëm më parë. Në fund shtojmë edhe rrushin e thatë, lajthitë dhe mollën e prerë në kube.

E përziejmë mirë masën dhe e vendosim në një tavë, të cilën e kemi lyer fillimisht me gjalpë dhe miell.

E pjekim në furrë të ngrohur më parë, për 45 minuta në temperaturë 170 gradë.

Shërbehet më mirë i ngrohtë, i spërkatur me sheqer pluhur ose mund ta shijoni të ftohtë, të veshur me krem ose akullore me vanilje.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]