fbpx

Kështu do të jetë moti për javën e fundit të Shkurtit

nga Revista Kosovarja

Java e fundit Shkurtit 2021 më shumë do ti ngjajë pranverës së hershme se sa dimrit. Fundi i Shkurtit po ashtu shënon edhe fundin e dimrit klimatologjik, ndërsa dimri astronomik apo kalendarik përfundon me 21 Mars.

Kjo javë do të karakterizohet me mot kryesisht të kthjellët dhe stabil për shkak të depërtimit të fushave të fuqishme ajrore anticiklonike. Këto fusha ajrore kushtëzojnë mot të thatë. Mirëpo, netët dhe mëngjeset do të jenë të ftohta, me ngrica të dobëta dhe mundësi edhe për mjegull në disa rajone. Ditët pritet të jenë stabile dhe me rreze të shumta diellore.

Gjatë kësaj jave do të kemi dy fronte që eventualisht mund të depërtojnë në rajonin tonë nga verilindja, por këto fronte do të jenë shumë të dobëta për të ndikuar në ndonjë ndryshim të madh të motit dhe pak do të hetohen. Fronti i parë mjaft i dobët është të mërkurën, ndërsa fronti i dytë është krejt në fund të javës, pra ditën e diel. Fronti i së mërkurës do të ndikojë në ulje të lehta të temperaturave, ndërsa fronti i së dieles mund të ulë temperaturat pak më shumë, por prapë mbetet front i dobët dhe pa reshje atmosferike.

Përndryshe, gjatë gati tërë javës na pret mot i kthjellët, me mëngjese dhe netë të ftohta dhe ditë të ngrohta pranverore.

Ishte ky parashikim javor bazuar në ecuritë më të fundit sinoptike dhe nëse ka ndonjë ndryshim eventual do të njoftoheni në postimet tona të përditshme.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]