fbpx

Këta zyrtarë duhet të japin dorëheqje dhe përgjegjësi

nga Revista Kosovarja

Kosova është tronditur dy herë vetëm gjatë javës së fundit për vrasjen e dy grave nga burrat e tyre, shkruan “Kosovarja”.

Të dy vrasjet që kanë ndodhur në fundjavën e nëntorit, qytetarët janë tronditur me mënyrën më mizore të kryerjes së vrasjeve të dy zonjave:

Sadie Miftari-Godenit (64) dhe Hamide Magashit (35), janë viktimat e burrave që morën dy jetë grash në mënyrat më mizore në Kosovë.

E para u privua nga jeta me sëpatë derisa ishte në gjumë nga bashkëshorti Godeni (70), i cili u vetëdorëzua në polici, derisa 35-vjeçarja Magashi, nga fshati Llugaxhi i Lipjanit dyshohet se u vra nga ish-burri i saj, Sokol Halili, që iku nga vendi i krimit në oborrin e QKUK-së në Prishtinë.

Gruaja 35-vjeçare, që priste të sillte në jetë fëmijën të nesërmen, kishte vendim të mbrojtjes së policisë, por që dështoi të zbatohej në mungesë përgjegjësie të organeve të rendit.

Statistikat tregojnë se dhuna në familje dhe ndaj grave, përfshirë edhe vrasjet, është në rritje gjatë këtij viti.

Pse po ndodh rritja e vrasjeve duhet ta japin fjalën organet përgjegjëse, por ajo çka e brengosë sistemin shtetëror është si të ndalen dhuna dhe vrasjet ndaj femrave?

Në kryeqytet për sot është paralajmëruar protestë në shenjë shqetësimi për vrasjen e Hamide Magashit nga ish-burri.

Por, a mjafton vetëm protesta që ky fluks të ndalet, është pikëpyetje e madhe, meqë nuk është e para protestë e as e vetmja që mbahet në shenjë pakënaqësie?

Pa dyshim, nuk zgjidhen problemet me organizimin e një proteste, por ajo që duhet ta zgjojë ndërgjegjen e shtetit është përforcimi i ligjit dhe ndërmarrja e masave konform rritjes së rrezikut të kësaj dhune.

Dorëheqjet janë të domosdoshme
Duke pasur parasysh se në Kosovë nuk e merr askush fajin pse dikush vritet, qoftë edhe në mënyrën më mizore, nga protestuesit duhet të fillojnë kërkesat për dorëheqje të zyrtarëve të drejtësisë dhe të organeve të sigurisë.

Për mosfunksionim të hierarkisë ekzekutive të sistemit, i pari që duhet të japë dorëheqje është Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

I dyti është drejtori i Policisë, e që aktualisht mungon në këtë post, por një gjë të tillë duhet ta bëjë ushtruesi i detyrës, apo zëvendësdrejtori.

Në këtë nivel të sistemit të sigurisë publike duhet të ofrojnë dorëheqje komandantët e stacioneve policore në Lipjan e Ferizaj, për neglizhencë të inicimit të mbrojtjes së viktimës, meqë organet ishin të njohura më parë nga paraqitja e viktimës.

Madje, edhe përkundër ushtrimit të dhunës ndaj ish- gruas, prokuroria vrasësin e kishte liruar me procedurë të rregullt!

Në sistemin e drejtësisë dorëheqje duhet të japë ministrja Albulena Haxhiu, e cila tha:

“Në momentin që do të verifikohet dështimi institucional, hallka që ka dështuar, personi përgjegjës do të jap dorëheqje. Të gjithë ne që jemi në pozicionet që mbajmë, kemi përgjegjësi në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Kompetencat janë të ndara, por u garantoj që nëse shohim që ka dështuar dikush, do të këtë dorëheqje, do të ketë shkarkim”.

Shtrohet pyetja: A e sheh veten të pafajshme Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që kërkon hallkën e shkëputur të funksionimit të sistemit, ndërkohë që të gjitha hallkat e drejtësisë nisin prej saj?

Sidoqoftë, qe sa e sa raste të ngjashme po ndodhin në Kosovë dhe pas 3-4 ditësh ngjarjet fashiten, nisin të harron, e herë-herë as që përmendën më!

Keq, a? Safet Krivaça /Kosovarja/

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]