fbpx

KGJK redukton orarin e punës në Pallatin e Drejtësisë, shkak temperaturat e larta

nga Revista Kosovarja

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka vendosur për reduktimin e punës në Pallatin e Drejtësisë, për shkak të temperaturave të larta si shkak i mungesës së klimatizimit.

KGJK i ka autorizuar kryetarët e gjykatave që varësisht nga gjendja në objektet e Pallatit të Drejtësisë, të vendosin për reduktimin e punës.

KGJK njoftoi për mbajtjen e një mbledhjeje të jasht/zakonshme me kryetarët e gjykatave, ku është diskutuar për situatën e krijuar në Pallatin e Drejtësisë në kryeqytet, si pasojë e mosfunksionimit të sistemit të klimatizimit dhe rritjes së temperaturës në ambientet e punës deri në 35 gradë celsius.
“Në këtë situatë, gjyqtarët dhe punonjësit e Gjykatës Supreme, Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, Gjykatës së Apelit, Gjykatës Komerciale dhe Gjykatës Themelore të Prishtinës janë duke punuar në kushte alarmante të punës, si rezultat i mosfunksionimit të sistemit të ajrosjes në Pallatin e Drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Të hënën, KGJK-ja dhe kryetarët e gjykatave që punojnë në Pallatin e Drejtësisë, iu drejtuan me letër krerëve të shtetit duke kërkuar masa të menjëhershme për krijimin e kushteve elementare për punë.

“Duke shpresuar që institucionet përkatëse do të ndërmarrin masa të menjëhershme, Këshilli Gjyqësor i Kosovës mbetet i gatshëm për të bashkëpunuar me qëllim të përmirësimit të gjendjes dhe krijimin e kushteve elementare për punë, në të kundërtën do të dëmtohen një numër i konsiderueshëm i proceseve gjyqësore në zhvillim e sipër dhe do të pamundësohen shërbimet për qytetarët e vendit”, thuhet në njoftimin e KGJK-së.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]