fbpx

Kica-Xhelili: Nuk hyjmë në koalicion me Vetëvendosjen

nga Revista Kosovarja

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk i ka ndryshuar qëndrimet e prezantuara para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, tha sot nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili.

Kica-Xhelili, e cila e përfaqësoi sot LDK-në në takimin konsultativ dhe përgatitor për seancën e 16 prillit me ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se LDK-ja vlerëson se është e domosdoshme që institucionet të krijohen “sa më parë dhe pa vonesa”.

“Qëndrimet e LDK-së në kuptim të respektimit të afateve kushtetuese, natyrisht kanë të bëjnë me domosdoshmërinë e formimit të institucioneve të Republikës së Kosovës sa më parë meqë vlerësojmë që është vitale për qytetarët e Republikës së Kosovës që politikat zhvillimore të ecin përpara dhe mendojmë që çfarëdo vonese eventuale në vonimin e krijimit të institucioneve të vendit do t’i bëjnë pikërisht dëm qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha ajo pas mbledhjes.

E pyetur lidhur me një koalicion të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje, Kica-Xhelili u shpreh se LDK-ja e ka bërë të qartë qëndrimin e saj: nuk ka koalicion me LVV-në.

“E kam të qartë që është e pamundur të mbesim në atë që është diskutuar në takimin e sotëm, mirëpo vlen të theksohet që qëndrimet e LDK-së të dhëna para zgjedhjeve kanë qenë edhe ofertë publike e Lidhjes Demokratike të Kosovës për cilindo qytetar i cili zgjedh të votojë për LDK-në dhe vlerësoj që nëqoftëse një parti politike e ka shfaqur sheshit një hendek shumë të madh me Lëvizjen Vetëvendosje, i cili më pas u kthye më pas në një mur të palëvizsshëm pas zgjedhjeve. Prandaj, vlerësoj që megjithëse e kemi përsëritur mjaftueshëm gjatë qëndrimin e LDK-së, e kuptoj pyetjen tuaj meqë natyrshëm këto ditë po vërejmë shumë ndryshime të qëndrimeve nga akterë të partive të tjera, por kjo nuk qëndron edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës”, tha ajo.

“Ritheksoj se kur ne kemi potencuar që nuk hyjmë në koalicion me LVV-në nuk kemi vendosur qëndrime në raport me këtë qëndrim dhe duhet ta kuptojmë që ky ka qenë qëndrim kristal i qartë i LDK-së, jo qëndrim i kryeqëzuar”, u shpreh nënkryetarja e LDK-së.

Kica-Xhelili tha se kryetari i partisë Lumir Abdixhiku do të vendosë nëse do t’i kthejë përgjigje ftesës së kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të diskutuar për formimin e institucioneve të reja.

“Sikurse keni parë, letra i është drejtuar kryetarit të LDK-së, z. Lumir Abdixhikut dhe rrjedhimisht i mbetet te z. Lumir Abdixhiku që të kthejë përgjigje zyrtare nëse e pranon një ftesë të tillë ose jo”, tha ajo.

Sa i përket takimit të subjekteve politike parlamentare me ish-kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, ajo tha se takimi ishte i natyrës procedurale dhe formale.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]