Derisa Komuna e Prishtinës dhe kompania “Pastrimi” po vazhdojnë luftën e tyre të hapur për faturat e mbeturinave, në kryeqytet ka shpërthyer një ngërç i madh që po krijon kunfuzion tek qytetarët dhe nuk dijnë kujt t’i drejtohet për pagesa.
Pasiguria dhe frika kanë marrë përmasa të mëdha, pasi të dyja institucionet i kanë kërcënuar qytetarët me masa drastike, përfshirë mundësinë e dërgimit të çështjeve në duar të përmbaruesve. Mirëpo në përpjekje për të dhënë fund kësaj dileme, zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Donat Lushaku për rtv21 tha se nuk do të ketë ndëshkime për ata që kanë paguar faturat, pavarësisht se kujt ia kanë dërguar ato mjete.
Në anën tjetër kompania “Pastrimi”, udhëzimet e komunës së Prishtinës i sheh si veprime të kundërligjshme që i kushtuan kësaj kompanie humbje për mbi 2 milionë euro. Përkundër deklarimeve të zyrtarëve të kryeqytetit, kjo kompani thekson sërish se ata që nuk kanë kryer pagesat ndaj tyre do të dërgohen tek përmbaruesit.
“Ata të cilët nuk paguajnë tarifat e mbeturinave nga janari 2025 e tutje do të procedohen tek Përmbaruesit Privat. Kjo është bërë duke u mbështetur në përcaktimet ligjore të Ligjit për Procedurën Përmbarimore, respektivisht nenit 29, paragrafi 1, nën paragrafi 1.2 dhe 1.3, ku citohet që: “Përmbarimi me qëllim të realizimit të kërkesës në të holla caktohet edhe në bazë të dokumentit të besueshëm. Kompania “Pastrimi” ka të drejtë të gjeneruesve të mbeturinave që nuk kryejnë pagesat ti dërgojë në procedurë përmbarimore. Në të kundërtën me këtë bazë ligjore çdo pagesë e bërë nga Komuna e Prishtinës përbënë shkelje ligjore dhe pasurim i pabazë, dhe si qytetarë keni të drejtë të ndjekeni rrugë ligjore apo pranë organeve tjera sepse veprimet e komunës nuk kanë asnjë bazë ligjore”.
Zyrtarë të kryeqytetit ndërkaq thanë se do të ulen sërish në një tavolinë me kompaninë e pastrimit për të gjetur një zgjidhje dhe për të arritur një marrëveshje të qartë dhe të drejtë, që do të ulin pasigurinë dhe frikën e qytetarëve.
Në fillim të muajit shkurt, Komuna e Prishtinës udhëzoi qytetarët e kryeqytetit që pagesat për faturimin e mbeturinave të realizohen përmes Komunës së Prishtinës deri në një vendim të ri.